×
  • Lajme
  • Lajme / Foto

    Kurti takohet me drejtuesit e Komunës së Leposaviqit

    Reporteri
    09 Shtator 2024 | 11:36

    Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka takuar Kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemin dhe nënkryetaren, Marina Bogojević dhe drejtues të drejtorive të kësaj komune.

    Përmes një komunikate, bëhet e ditur se gjatë takimit u diskutua mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, përfshirë sfidat e trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës, raporton gazeta online Reporteri.net.

    “Gjatë takimit u diskutua gjerësisht mbi qeverisjen komunale në 15 muajt e fundit, shërbimet e reja, përfshirë ato që ofrohen nga agjencitë qendrore, sikurse Agjencia e Punësimit dhe Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve, dhe praktikat e mira të vendosura me udhëheqjen aktuale. U diskutua edhe rreth sfidave të trashëguara dhe nevojën për investime kapitale për qasje në ujë të pijshëm, ndriçim publik dhe infrastrukturë, veçanërisht në fshatra dhe zona të thella të komunës” thuhet në komunikatë.

    Tutje, thuhet se Hetemi dhe Bogojević, kanë vecuar rëndësinë e dëgjimeve buxhetore që kanë mbajtur deri më tash me qytetarë nga komuniteti serb, boshnjak dhe shqiptar.

    “Kryetari Hetemi, nënkryetarja Bogojević dhe drejtorët veçuan rëndësinë e dëgjimeve buxhetore që kanë mbajtur deri më tani me qytetarë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak dhe shqiptar, me qëllim adresimin e kërkesave të tyre dhe planifikimit të projekteve dhe përgatitjet e kërkesave për mbështetjet nga niveli qendror”, thuhet tutje.

    Po ashtu, bëhet e ditur se Kurti ka ofruar mbështetjen dhe gatishmërinë e tij për të punuar sa më afër në adresimin sa më të shpejtë të kërkesave të kësaj komune.

    “Kryeministri Kurti i falënderoi drejtuesit dhe stafin e Komunës së Leposaviqit për punën dhe angazhimin e përditshëm dhe për bashkëpunimin e ngushtë me ministritë dhe Zyrën e Kryeministrit në realizimin e projekteve në interes të komunës. Bashkë me ministrat në takim, ai i ofroi kryetarit Hetemi dhe nënkryetares Bogojević, mbështetjen e tij dhe gatishmërinë për të punuar sa më afër në adresimin sa më të shpejtë të kërkesave të kësaj komune që burojnë nga nevojat e qytetarëve për vitin e ardhshëm buxhetor”, thuhet në përfundim.

    /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!