×
  • Lajme
  • Lajme / Vazhdon me planin

    Kurti: Urën Ibrit duam ta hapim sa më parë, por s’do t’i befasojmë amerikanët dhe evropianët

    Reporteri
    19 Gusht 2024 | 18:59

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se hapja e Urës mbi Lumin Ibër do të bëhet sa më shpejt që është e mundur.

    Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se ura duhet të hapet sepse është në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

    Kurti tha se kurrë ndonjëherë më parë nuk ka pasur diskutime dhe koordinim me miqtë amerikan dhe ndërkombëtarë.

    “Ne jemi të interesuar që hapjen e urës ta bëjmë në bazë të planit të cilin e kemi ndarë së bashku me partnerët, miqtë aleatët amerikan dhe evropian. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri e në jug. Kemi zhvilluar konsultime edhe më shqiptarët, edhe me komunën veriore të Mitrovicës, gjithashtu e kemi testuar qëndrueshmërinë fizike dhe teknike të urës dhe po e bëjmë një dizajnim. Dhe këtë do ta bëjmë sa më parë, por nuk do t’i befasojmë miqtë tanë evropian dhe amerikan në njërën anë por në anën tjetër as nuk do të mund të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë dhe besojmë se është e drejtë dhe e nevojshme, e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure.”, tha Kurti.

    Ai u shpreh se ura do të duhej të hapej shumë kohë më parë.

    “Në këtë rast kemi një situatë të ngjashme. Ura mbi lumin Ibër është dashur të hapet atëherë kur është çliruar Kosova, para 25 viteve, Ajo nuk është dashur të jetë e mbyllur atëherë kur u pavarësua Kosova, para 16 viteve. E ajo është dashur të jetë e hapur edhe para 8 viteve në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit. Kësisoj ne jemi trefish të vonuar për shumë vite dhe ajo çfarë duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat dhe kapitalin në të dy anët e lumit Ibër, të ketë sundim të ligjit që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vetë frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni se ne nuk mund të themi se sundimi I ligjit dhe lëvizja e lirë gjithandej Kosovës për të gjithë tërë kohën, përveçse në urën mbi lumin Ibër. Jemi duke i dëgjuar me vëmendje të gjitha sugjerimet, kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime dhe koordinim dhe jam bindur se do ta kemi edhe sundimin e ligjit e lirinë e lëvizjes në njërën anë edhe paqen e sigurinë. Hapja e Urës mbi Lumin Ibër nuk është kundër askujt. Ajo është për komunitetin serb, për shqiptarët, për serbët, boshnjakët dhe të gjitha pakicat sikurse turqit, egjiptianët, ashkalinjë edhe romët. Evropa I ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet ta hapim edhe këtë urë. “, tha Kurti, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!