Web-emisioni “Ditari i Buzhalës” ka publikuar një audio-përgjim që pretendohet se dëshmonë korrupsionin në Ministrinë e Infrastrukturës. Krye-personazh i këtij skandali është shefi i punëtorit të përgjuar, që ka emrin Halil Jahaj. Por, kush është Jahaj?
Vite më parë, Jahaj është quajtur “Daja i Vetëvendosjes” nga një aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, Pajtim Demaj.
Në fotografinë e publikuar nga Demaj, “daja” shihet teksa pushon pas një loje basketbolli, gjatë fushatës së Vetëvendosjes për zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019.
Se “daja” është i afërt me VV-në, tregon edhe një fakt tjetër. Jahaj ka qenë financues i Vetëvendosjes, aktivistët e së cilës e nderuan me titullin e nderit “daja”, shkruan Gazeta Nacionale.
Financimin që e bëri Jahaj, e ka njoftuar edhe vetë partia e kryeministrit Albin Kurti. Në njërën nga pasqyrat financiare të publikuara nga VV, “daja” shihet të ketë financuar këtë parti në vitin 2021, kur partia e Kurtit fitoi gjysmën e votave të elektoratit.
Në anën tjetër, “daja i Vetëvendosjes” është dajë i këshilltarit të Liburn Aliut, Florent Ramqajt.
Kompania Infratek, e zënë duke kërkuar ryshfet 30 mijë euro nga një kompani ndërtimore, është në pronë të tij, edhe pse gruaja e tij është zyrtarisht në krye. Ai është pronar edhe i kompanisë Alpha I.
Halil Jahaj është edhe aktivist politik. Ai bën një numër shumë të madh postimesh politike në profilin në Facebook.
Në kohën e krizës së rëndë energjetike, z. Jahaj kishte shkruar se kriza energjetike nuk ishte aq e rëndë dhe se “ende s’kishim parë gjë akoma”.
Jahaj në shumë statuse në Facebook e kishte shprehur publikisht përkrahjen për VV-në.
Madje për liderin e kësaj partie, “daja” kishte fjalë të mëdha miradie. Për “dajën”, Albin Kurti beson në dituri, dhe si i tillë struktura e tij e të menduarit është strategjike. Ndërsa për VV-në theksonte se është kryengritëse e lëvizjes që nuk e duron pabesinë.
“Albin Kurti beson në dituri, prandaj struktura e tij e të menduarit është strategjike dhe e bazuar në të dhëna shkencore të përshtatura (për dallim që deri në vitin 2014, më duket se insistonte që votuesi t’i përshtatet të dhënave shkencore). Ai më se miri e ka kuptuar filozofinë politike të Jusuf Gërvallës, psikosociologjinë e masave dhe historinë e Kosovës si rajon kufitar mes kulturave. Mbi këto njohuri ka ndërtuar politikën elektorale. LVV e kuptoi më kohë, mbase më 26 mars 2020 se populli i Kosovës dallon prej rajonit në dy pika: është kryengritës dhe nuk e duron pabesinë”, shkruante ai në një status në facebook, në vitin 2021. /Nacionale/.
Publikohet audio-incizimi, dyshohet për ryshfet astronomik në Ministrinë e Liburn Aliut