×
  • Lajme
  • Lajme

    Lahi Brahimaj flet pas intervistimit nga Gjykata Speciale

    Reporteri
    11 Prill 2019 | 20:58

    Ish-zëvendës komandanti i Zonës Operative të UÇK-së në Dukagjin është intervistuar të mërkurën nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.


    Intervistimi i Brahimajt, që legjislaturën e kaluar të Kuvendit të Kosovës ka qenë deputet i AAK-së, ka zgjatur vetëm një ditë. Ai, të enjten është kthyer nga Haga në Kosovë.

    I kontaktuar nga Reporteri.net, Brahimaj ka konfirmuar se ka përfunduar intervistimin. Por, ai nuk ka dhënë detaje rreth marrjes në pyetje nga Haga, për krime lufte.

    “Dje kam qenë në intervistë. Skam gjë më për të shtuar”, ka thënë shkurt, për Reporteri.net, Lahi Brahimaj.

    Ish-zëvendës komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, që është daja ish-drejtuesit të kësaj zone, sot kryeministër, Ramush Haradinaj, ftesën nga Specialja e ka marrë në shkurt të këtij viti.

    Për këtë gjë, kishte njoftuar vetë Brahimaj, javë më parë.

    Lahi Brahimaj, sikurse nipi i tij kryeministër, janë përballur edhe më parë më drejtësinë ndërkombëtare. Të dy ata kishin dalë të pafajshëm nga Tribunali i Hagës që i kishte akuzuar për krime lufte.

    Dy ditë para ish-deputeti të AAK-së, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, është intervistuar edhe bashkëpartiaku i tij deputet Blerim Kuçi.

    Haga dështoi ta marrë në pyetje Blerim Kuçin

    Gazeta Online “Reporteri.net” ka raportuar se ish-kryetari i Suharekës është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit të tij në Hagë që u bë të hënën. Këtë e ka konfirmuar edhe vetë avokati i deputetit të AAK-së.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar për Kosovën, e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, ftesat e para për ish-pjesëtarët e UÇK-së ka nisur t’i shpërndajnë qysh në dhjetor të vitit të shkuar.

    Prej dhjetorit të vitit të shkuar, kur janë shpërndarë ftesat e para në Kosovë, për intervistim në Hagë të ish-pjesëtarëve të UÇK-së për krime lufte, e deri më sot, janë intervistuar rreth 20 të tillë – në mesin e tyre edhe ish-eksponentë të hierarkisë së këtij grupimi ushtarak për çlirimin e Kosovës.

    Reporteri.net, më 29 mars 2019 ka raportuar se rreth 40 ftesa të reja për ish-ushtarë të UÇK-së, përfshirë edhe figura të larta në hierarkinë e saj, kanë mbërritur nga Haga në Kosovë. Thirrjet e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për Kosovën, janë për dy muajt e ardhshëm Prill dhe Maj të këtij viti. Në mesin e të ftuarve ka edhe deputet të Kuvendit të Kosovës, ka shkruar Reporteri.net, duke u thirrur në burime të afërta me procesin.

    EKSKLUZIVE: Rreth 40 ftesa të reja vijnë nga Haga për ish-ushtarë të UÇK-së, përfshirë edhe ish-komandantë

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara për Kosovën, me seli në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale, janë votuar në Kuvend të Kosovës, në gusht të vitit 2015.

    Përmes ligjit të veçantë, këto Dhoma të Specializuara dhe Prokurori Special u themeluan për të gjykuar disa krime të caktuara të kryera prej 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000, brenda territorit të Kosovës.

    Ato u krijuan si pasojë e një raporti të zviceranit Dick Marty, që e paraqiti para Këshillit të Evropës në janar të 2011.

    Raporti përmban pretendime për krime të rënda, që supozohet t’i ketë kryer UÇK-ja gjatë dhe menjëherë pas luftës së fundit në Kosovës. Të njëjtat supozime u mbështeten edhe në një libër që e kishte shkruar ish-prokurorja e Tribunalit Special, Carla Del Ponte, tri vjet para se Marty ta hartonte raportin. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!