×
  • Lajme
  • Lajme / Normalizimi i marrëdhënieve

    Lajçak: Pa u zgjidhur çështja Kosovë-Serbi, s’ka integrim të Ballkanit Perëndimor në BE

    Reporteri
    31 Gusht 2024 | 20:23

    Ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak ka thënë se pa u zgjidhur çështja Kosovë-Serbi, nuk mund të ketë integrim të Ballkanit Perëndimor në BE.

    Lajçak në Forumin e Sigurisë  GLOBSEC në Pragë tha se Marrëveshja e Ohrit nuk është duke u zbatuar nga asnjëra palë, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    “Nëse nuk e zgjidhim çështjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, mund të harrojmë integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, jo vetëm Serbisë dhe Kosovës. Mendoj se arritëm të bëjmë më të mirën e mundshme me marrëveshjen për normalizim që u miratua vitin e kaluar në Ohër, por ajo nuk u zbatua kurrë”, tha Lajçak.

    Zyrtari evropian citoi mesazhin e presidentit francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në Beograd: “Rruga është e asfaltuar dhe quhet Ohër”.

    “Megjithatë, mungon vullneti politik dhe shoqëria nuk është e gatshme për këtë. Përveç kësaj, në shkurt do të kemi zgjedhje parlamentare në Kosovë, prandaj është naive të presim një kthesë para zgjedhjeve. Por duhet të ketë ndryshim të rëndësishëm në zbatim menjëherë pas zgjedhjeve”, tha Lajçak.

    Nën Lajçakun si emisar, në vitin 2023, është arritur edhe Marrëveshja drejt normalizimit të marrëdhënieve, e cila u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit, por që ka mbetur kryesisht e pazbatuar.

    Me gjithë trysninë perëndimore, marrëveshja e arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër ende nuk ka nisur të zbatohet, ndonëse Bashkimi Evropian ka theksuar disa herë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët dhe nga zbatimi i saj varet përparimi drejt integrimeve evropiane.

    Në takimin e fundit të nivelit të lartë që u mbajt më 26 qershor në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti refuzoi ta takojë presidentin serb, Vuçiq. Ai paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

    Kurti tha se pa dorëzimin e Milan Radoçiqit dhe grupit paramilitar serb që kryen sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator të vitit të kaluar, nuk mund të ketë mirëbesim në dialogun me Serbinë.

    Shefi i ekzekutivit kosovar, nuk pranoi të takohej me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq pa u bërë formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve; tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!