×
  • Lajme
  • Lajme
    INSTANT

    Limaj: Do ta ftoj Kurtin për kafe javën e ardhshme

    Reporteri
    11 Korrik 2025 | 11:53

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur pas dështimit të seancës së 45-të me radhë në tentativë për ta bërë Kuvendin funksional.

    Limaj ka thënë se nuk ka marrë ende asnjë ftesë për të diskutuar për ndonjë rrugëdalje. Limaj ka paralajmëruar se do të jetë ai iniciator i një takimi me Kurtin.

    Jam i interesuar të gjejmë zgjidhje. Duhet të gjenden rrugë. Neve askush nuk na ka ftuar për ndonjë ide tjetër, nëse na ftojmë jemi të gatshëm për ta trajtuar nëse ndihmon drejt një zgjidhje. Momenti është krijimi i institucioneve, jo për spektakël

    “Kemi me vazhdu me pas takime, kryeministrin nëse nuk gaboj është në Bosnjë, kam ndërmend edhe unë me ftua me pi kafe – kështu me tentu që të gjejmë zgjidhje”, tha Limaj. /Reporteri.net/

    VV bie në 49 vota, dështon konstituimi i Kuvendit për të 45’ën herë

    Reporteri
    11 Korrik 2025 | 11:26

    Në Kuvendin e Kosovës ka dështuar edhe përpjekja e 45-të për konstituim, shkruan Reporteri.net.

    VV ka vazhduar me përpjekjen për votim të fshehtë për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Partitë tjera, si PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe s’kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin për votim të fshehtë.

    Kur u ftuan për propozime, ata akuzuan Kryesuesin Avni Dehari, se po shkel Kushtetutën.

    “Sot është hera e 45’të që Kryesuesi është duke e shkelë Kushtetutën. Kjo është e papranueshme”, tha deputeti i PDK’së, Abelard Tahiri, para se ti ndalej fjala nga Dehari.

    “Unë propozoj që ju të ktheheni në rendin e ditës”, deklaroi Ekrem Hyseni i LDK’së, të cilit poashtu iu ndërpre fjala nga Dehari.

    “Po e shohim që ka një bllokadë të qëllimshme”, tha Time Kadriaj e AAK’së, të cilës iu ndal mikrofoni menjëherë.

    “Nuk ka vend për debat”, deklaroi Dehari.

    Në sallë ishin 99 deputetë.

    “49 deputetë për, kundër s’ka, abstenime s’ka. Nuk kemi kourum. Ndërpritet seanca. Shihemi më 13.07, në orën 11:00 sërish”, tha Dehari.

    E propozuara e VV’së për këtë pozitë vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu./Reporteri.net/.

    “Boll ma”, shoqëria civile proteston para Kuvendit

    Reporteri
    11 Korrik 2025 | 11:06

    Shoqëria civile po proteston para Kuvendit të Kosovës, pak para seancës ku për herë të 45-të do të tentohet konstituimi i legjislaturës së nëntë.

    “Boll ma”, “Për çka ju kena zgjedhë?”, “120 rroga pa përgjegjësi”, thuhet në disa nga pankartat e tyre.

    Kjo është e disata herë që shoqëria civile proteston para Kuvendit të Kosovës. /Reporteri.net/

    Pesë muaj pas zgjedhjeve Kosova ende pa Kuvend të konstituuar, sot përpjekja e 45-të

    Reporteri
    11 Korrik 2025 | 7:13

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sërish sot mblidhen në përpjekjen e 45-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të, pesë muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të rregullta parlamentare, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Partitë parlamentare nuk po arrrijnë të pajtohen për ta konstituuar Kuvendin as pas aktgjykimit të Kushtetueses që obligon që kjo të bëhet brenda 30 ditësh.

    Procesi ka ngecur te emërimi i kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit – me Vetëvendosjen që kërkon votim të fshehtë, pasi kandidatja e saj Albulena Haxhiu s’i mori 61 vota të nevojshme në votim të hapur – por partitë e tjera e kundërshtojnë një mënyrë të tillë të votimit.

    Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Afati i fundit është 26 korriku.

    Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.

    Presidentja Vjosa Osmani është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë lidhur me ngërçin e krijuar tash e sa muaj.

    Këshilltari i Osmanit, Bekim Kupina, ka deklaruar të mërkurën për Gazetën Online Reporteri.net se Presidentja po mendon të kërkojë sqarim nga Kushtetuesja për pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit 30 ditor, të përcaktuar në Aktgjykim.

    “Presidentja është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për t’iu drejtuar Gjykatës me një kërkesë për sqarim të aktgjykimit Aktgjykimi në rastin nr.KO 124/25*, në mënyrë që të qartësohen pasojat juridike në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata (pra brenda 30 ditësh)”, ka deklaruar Kupina.

    Në adresë të Kushtetuteses janë dërguar edhe dy kërkesa javën e kaluar, nga PDK dhe LDK. Këto dy parti i janë drejtuar Gjykatës lidhur me tri vazhdimet e seancës konstituive pas Aktgjykimit./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!