×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    Maqedonci pret homologun zviceran, theksohet rëndësia e diasporës dhe bashkëpunimit ushtarak mes Kosovës dhe Zvicrës

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 11:37

    Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë, Shemsi Syla, dhe Sekretari i Përgjithshëm i MM-së, Gafurr Dugolli, pritën në takim Kancelarin Federal dhe Ministrin e Mbrojtjes, Mbrojtjes Civile dhe Sportit të Zvicrës, Martin Pfister, të shoqëruar nga delegacioni i tij.

    Ministri Maqedonci theksoi rolin kyç të diasporës sonë në Zvicër si një urë lidhëse mes dy vendeve, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve bilaterale dhe zhvillimin e vendit tonë.

    “Në takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e trajnimeve dhe edukimit ushtarak – një hap i rëndësishëm drejt rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

    Gjithashtu, ministri Maqedonci informoi homologun zviceran për arritjet e FSK-së ndër vite dhe theksoi rëndësinë strategjike të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe NATO, si garanci për stabilitetin e qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Të dy ministrat u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, duke konfirmuar përkushtimin e ndërsjellë për një të ardhme më të sigurt dhe më të qëndrueshme

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!