×
  • Lajme
  • Lajme

    Memli Krasniqi, PDK: U bë 1 javë që i kam dërguar letër por Albin Kurti po ikë nga përgjegjësitë, nga qytetarët dhe nga pacientët

    Reporteri
    07 Shtator 2021 | 18:46

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij po ikin nga përgjegjësitë që kanë karshi nevojave të qytetarëve në këtë peiudhë tragjike të shkaktuar nga keqmenaxhimi i pandemisë.


    Lideri i opozitës ka thënë se mos përgjigja e kryeministrit Kurti ndaj letrës së dërguar 1 javë më parë ku i ka shprehur nevojën e bashkimit të spektrit politik për luftën ndaj pandemisë, tregon se kryeministri po ikë nga përgjegjësisia, nga qytetarët dhe nga pacientët.

    Krasniqi ka shkruar në faqen e tij në Facebook se që nga dita kur ia ka dërguar letrën kryeministrit, bilanci ka qenë tragjik për 207 familje që kanë humbur të dashurit e tyre, ndërsa janë evidentuar 9.914 raste të reja me Covid-19, nga numri total aktual prej 24.484 rastesh aktive në nivel vendi.

    “Por, ky dezertim nga përgjegjësia po u kushton qytetarëve të Republikës së Kosovës, për çfarë ne nuk mund të rrimë indiferentë. Një Kryeministër i përgjegjshëm do të duhej ta linte anash disponimin e keq elektoral me të cilin përballet, e të fokusohej në përgjegjësitë qeverisëse, sepse qytetarët kanë nevojë sot më shumë se kurrë që të mbështeten në institucionet e tyre”, tha Krasniqi.


    Deklarata e plotë e kryetarit të PDK-së, Memli Krasni
    qi:

    U bë tash e një javë prej se i kam dërguar letër Kryeministrit Albin Kurti, për të ngritur shqetësimet si opozitë rreth gjendjes së krijuar me pandeminë në vendin tonë. Që nga ajo ditë, bilanci ka qenë tragjik për 207 familje që kanë humbur të dashurit e tyre, ndërsa janë evidentuar 9.914 raste të reja me Covid-19, nga numri total aktual prej 24.484 rastesh aktive në nivel vendi.

    Kam besuar se, ndonëse i paaftë për ta menaxhuar këtë krizë, ai vërtet është i shqetësuar për situatën e rënduar me pandeminë, duke llogaritur se si një front i përbashkët – sepse nuk kemi dhe s’duhet të kemi betejë politike për pandeminë – mund të gjejmë zgjidhje për të plotësuar shumë nevoja emergjente, përfshirë ndryshimet e Ligjit të Buxhetit, ku do të reflektoheshin këto nevoja.

    Megjithatë, Kryeministri Kurti nuk u bë i gjallë. As në letra, as në terren. As në Qeveri, as pranë qytetarëve, as pranë pacientëve. Ne e dimë që nuk jemi atraktivë për të, sepse postulatet ideologjike e seminarike nuk mund t’i shesë në PDK. Megjithatë, kemi besuar se ka aq integritet e përgjegjësi politike sa për ta bërë prioritet themelor trajtimin e gjendjes me pandeminë.

    Por, ky dezertim nga përgjegjësia po u kushton qytetarëve të Republikës së Kosovës, për çfarë ne nuk mund të rrimë indiferentë. Një Kryeministër i përgjegjshëm do të duhej ta linte anash disponimin e keq elektoral me të cilin përballet, e të fokusohej në përgjegjësitë qeverisëse, sepse qytetarët kanë nevojë sot më shumë se kurrë që të mbështeten në institucionet e tyre.

    Unë besoj që duhet të bëhemi bashkë përtej pushtetit, përballë këtij rreziku që po merr dhjetëra jetë njerëzish për çdo ditë. Tash dhe menjëherë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!