Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme nëpërmejet një komunikate të përbashkët kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e Agon Musliut, 26 vjeçarit i cili ishte i karantinuar në Qendrën e Studentëve.
Në këtë komunikatë, MSH dhe MPJD shkruajnë se nuk kanë poseduar asnjë dokument i cili tregon se gjendja shëndetësore e Musliut nuk ishte e mirë.
Gjithashtu shkruhet se: “Pas shqyrtimit të raporteve, kemi kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si “prob. shen. – posedonvertetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor.”
Sipas kësaj komunikate, as Qendra Operative Emergjente në kuadër të MSH-së nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk ka poseduar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen shëndetësore të të ndjerit.
“Gjithashtu, Qendra Operative Emergjente, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk i janë dërguar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, në asnjërën nga tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor, siç ka ndodhur me rastet e tjera të cilat janë liruar.”, thuhet në komunikatë.
Kjo është komunikata e plotë:
KOMUNIKATË E PËRBASHKËT E MINISTRISË SË PUNËVE TË JASHTME DHE MINISTRISË SË SHËNDETËSISË
Prishtinë, 5 maj 2020
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) dhe Ministria e Shëndetësisë (MSh) shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e të ndjerit AgonMusliu.
Pas rastit tragjik, MSh, ka kërkuar raporte me shkrim nga zyrtarë, profesionistë dhe ekipe përgjegjëse që janë nën menaxhimin e kësaj Ministrie.
Gjithashtu, pas informimit për rastin, MPJD ka filluar kontaktet ndërinstitucionale për t’uinformuar për detajet e tij. Njëkohësisht, MPJD ka kërkuar raporte të detajuara zyrtare nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe nga Qendra Operative e MPJD-së, e cila është përgjegjëse për koordinimin e kthimit të qytetarëve në Republikën e Kosovës.
Pas shqyrtimit të raporteve, kemi kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si “prob. shen. – posedonvertetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor. Duhet ta sqarojmë, që listat e tilla dërgohen rregullisht nga misionet diplomatike dhe ato nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin apo mosqëndrimin e dikujt në karantinë, sepse ato përgatiten nga shefat e misioneve diplomatike, e jo nga organet shëndetësore.
Gjithashtu, Qendra Operative Emergjente, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk i janë dërguar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, në asnjërën nga tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor, siç ka ndodhur me rastet e tjera të cilat janë liruar.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministria e Shëndetësisë bëjnë thirrje që organet e hetuesisë të punojnë për zbardhjen e rastit në mënyrë që procesi të përmbyllet sa më shpejt dhe njëkohësisht shprehin gatishmërinë e tyre që të bashkëpunojnë me organet përkatëse.
Vetëm nëpërmjet një bashkëpunimi të ngushtë dhe transparent me organet e hetimit dhe vetëm duke e mbajtu rrastin larg nga politika, do të mund të kuptohet e vërteta dhe të vihet drejtësia në vend.