×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    Misioni i SHBA-së në OSBE i quan provokuese veprimet e Qeverisë në veri, mesazh Kosovës e Serbisë

    Reporteri
    05 Shtator 2024 | 18:43

    Misioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në OSBE ka reagust mbi zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.

    Ky mision shprehet i shqetësuar me “veprimet e pakoordinuara dhe provokuese të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë”.

    Sipas tyre, Qeveria e Kosovës, me veprimet e saj “i vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR të udhëhequra nga NATO në rrezik më të madh dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar”.

    Misioni i SHBA-së i ka bërë thirrje Kosovës që çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

    Në reagim është theksuar se SHBA mbetet e përkushtuar për mbështetjen e marrëdhënieve paqësore mes Serbisë dhe Kosovës dhe se normalizimi në fund duhet të çojë në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Reagimi i plotë nga Misioni i SHBA-së në OSBE të cilin e ka publikuar në faqen e saj Ambasada Amerikane në Kosovë:

    Ne kemi shprehur shqetësimin tonë lidhur me veprimet e pakoordinuara dhe provokuese të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, të cilat kanë pasur efekt të drejtpërdrejtë dhe negativ ndaj pjesëtarëve të komunitetit etnik serb dhe komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Ata i vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR të udhëhequr nga NATO në rrezik më të madh dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar. Ne vlerësojmë punën e atyre, përfshirë Misionin në terren të OSBE-së në Kosovë, Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcën e Kosovës, të cilët parandalojnë dhunën dhe bëjnë thirrje për përmbajtje të vazhdueshme nga të gjithë të përfshirët dhe të prekurit.

    Ne vazhdojmë ta mbështesim Kosovën si një demokraci sovrane, multietnike dhe u bëjmë thirrje udhëheqësve të saj që të promovojnë një shoqëri që respekton të drejtat gjithëpërfshirëse për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë. Çështjet që kanë të bëjnë me strukturat e mbështetura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, siç është rënë dakord nga të dyja palët.

    Ne e shohim të ardhmen e Kosovës në Evropë dhe të integruar plotësisht në institucionet evropiane dhe euroatlantike. Dialogu i normalizimit i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është mënyra për të siguruar që Kosova të ketë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj dhe të përparojë në rrugën e saj evropiane. Ne përsërisim thirrjen tonë për Kosovën dhe Serbinë që të ecin përpara me urgjencë në zbatimin e marrëveshjes që arritën në mars 2023. Përfundimisht, Shtetet e Bashkuara besojnë se normalizimi duhet të çojë në njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Shtetet e Bashkuara do të mbeten të angazhuara në mënyrë aktive, në koordinim me partnerët tanë të BE-së, në mbështetje të një marrëdhënieje të parashikueshme dhe paqësore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në bazë të marrëveshjeve dhe detyrimeve të tyre të Dialogut.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!