×
  • Lajme
  • Lajme / Zhvillimet e fundit

    Mospajtime pas zgjedhjeve: Çfarë po ndodh në LDK?

    Reporteri
    21 Mars 2025 | 18:30

    Pasi u renditën të tretët në zgjedhjet e 9 shkurtit, brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës janë shfaqur pakënaqësi dhe kërkesa për ndryshime në udhëheqje. Por, kush po e mbron dhe kush po kërkon largimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe reformë në kryesi?

    Në zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës fitoi 18 për qind të votave.

    LDK-ja u rendit e treta pas lëvizjes Vetëvendosje që doli e para dhe Partisë Demokratike të Kosovës që zuri vendin e dytë.

    Me këto vota, LDK-ja siguroi vetëm 20 deputetë në përbërjen e re të Kuvendit të Kosovës. Por rezultati jo i kënaqshëm shkaktoi mospajtime dhe kërkesa për ndryshimin e udhëheqjes në parti. Avdullah Hoti, anëtar i kryesisë dhe një nga figurat e rëndësishme të LDK-së, kërkoi publikisht ndryshime.

    Ai kritikoi mënyrën se si LDK-ja bëri opozitë, si dhe riorganizimin dhe programin me të cilin garoi në zgjedhjet nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut, që haptas tha se merr përgjegjësinë për rezultatin.

    “Përgjegjësinë për këtë rezultat e marr në tërësi unëedhe për fushatën, edhe për drejtimin e partisë dhe do t’i japë llogari vetëm Lidhjes Demokratike të Kosovës”, kishte deklaruar Abdixhiku.

    Megjithatë, Abdixhiku nuk i është përgjigjur kërkesave të fundit të ish-kryeministrit Hoti.
    Në mbrojtje të tij doli nënkryetarja Doarsa Kica Xhelili.

    “Së pari, Lumir Abdixhiku nuk ka shumë që është votuar si kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës unanimisht. Së dyti, Lumir Abdixhiku duke qenë në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka arritur për gati 70 për qind Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka deklaruar Kica Xhelili në Tv Dukagjini.

    Hoti kritikoi Abdixhikun dhe strukturat e larta udhëheqëse të LDK-së edhe për favorizimin e figurave të caktuara dhe për mënjanimin e njerëzve të rëndësishëm të partisë.

    I zëshëm kundër udhëheqjes aktuale u shpreh edhe ish-kryetari i Podujevës, ish-deputeti dhe ish-ministri Agim Veliu, i cili nuk u përfshi në listën zgjedhore të IX shkurtit

    “Renditjen e ka bërë vetë, renditje skandaloze ka qenë, duke lënë, ta zëmë, Avdullah Hotin, ish-kryeministrin e LDK-së, figurën e LDK-së, të 13-tin, kryetarin e grupit parlamentar të 14-tin”, ka deklaruar Veliu në Debat Plus.

    Pakënaqësitë e Hotit dhe Veliut u shprehën pas mbledhjes së kryesisë së LDK-së, që u mbajt më 10 mars.
    Në këtë mbledhje, e cila zgjati më shumë se 5 orë, u raportua edhe për anëtarë të tjerë të Kryesisë që kërkuan ndryshime.

    Por pas mbledhjes, Abdixhiku tha se ka mbështetje dhe se do ta vazhdojë punën për rritjen e LDK-së./Radio Evropa e Lirë/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!