Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, njëherësh Kryesuese e Këshillit Nacional për Zhvillim të Qëndrueshëm, Fatmire Kollçaku, së bashku me një delegacion nga Kosova po marrin pjesë në Konferencën e organizuar nga Misioni i OSBE-së, 5 – 6 qershor 2024, në Sarajevë, Bosnje dhe Hercegovinë, me temën: “Transforming politics: Male politicians as Critical Actors for Gender Equality in politics and eliminating violence against women”.
Kryetarja Kollçaku referoi në Panelin me temën: “Male politician advancing gender equality policy”, me ç’rast të pranishmit i njoftoi lidhur me legjislacionin e avancuar për barazinë gjinore, miratuar nga Kuvendi i Republikës se Kosovës, ndërsa shtoi se Kosova ka bërë përparime të matshme sa i përket barazisë gjinore.
Kollçaku potencoi se Republika e Kosovës aktualisht ka Presidenten e dytë grua, ndërsa, sa i përket Kuvendit i njoftoi të pranishmit se gjysma e komisioneve parlamentare udhëhiqen nga gratë deputete dhe se nënkryetarja e Kuvendit është grua. Ajo po ashtu bëri të ditur se Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese është grua dhe disa prej ministrive më të rëndësishme në kuadër të Qeverisë, udhëhiqen nga gratë.
Kollçaku theksoi së parakusht për demokratizim të shoqërisë është reformimi i partive politike, në mënyrë që të kemi përfaqësim të barabartë në pozita drejtuese të grave, si dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të legjislacionit në fuqi, me theks të buxhetimi gjinor. Përmendi edhe një sërë masash nga ana e Qeverisë në mbështetje të grave, siç janë shtesat për fëmijë, mbulimi i pushimit të lehonisë për gratë e papuna, bursat për vajzat për teknologji informative. Rendësi të veçantë i kushtoi edhe ligjit të ri të miratuar nga Kuvendi për parandalimin e të gjitha formave të dhunës si dhe mbështetjen konkrete për strehimoret për viktimat e dhunës.
Në këtë konference po marrin pjesë edhe Zëvendësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi, Nënkryetari i Komunës se Vitisë, Hasan Aliu, Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, Luljeta Demolli, si dhe Dhurata Kryeziu dhe Nansi Jasharaj nga OSBE, Zyra në Prishtinë.