×
  • Lajme
  • Lajme

    Muralet e Mlladiqit e Mihailloviqit në Beograd mbulohen sërish me ngjyrë

    Reporteri
    20 Dhjetor 2021 | 12:33

    Muralet kushtuar ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpskas, kriminelit Ratko Mlladiq dhe ish-liderit çetnik, Drazha Mihailloviq në cep të dy rrugëve në Beograd janë lyer sërish me ngjyrë të zezë.

    Siç shkruan “Danas”, fytyrat e Mlladiqit dhe Mihailloviqit janë lyer me figura gjeometrike. Kështu, janë mbuluar edhe mesazhet që janë shkruar në mur.

    Murali kushtuar Mihailloviqit është mbuluar për herë të parë, ndërsa murali kushtuar Mlladiqit është mbuluar disa herë gjatë muajve të kaluar e më pas është pastruar.

    Personat që kanë hedhur ngjyrë ndaj muraleve nuk kanë lënë ndonjë mesazh.

    Që prej se autorë të panjohur pikturuan portretin e Mlladiqit në korrik të këtij viti, i njëjti është ngjyrosur disa herë, por sërish brenda orësh është kthyer në gjendjen origjinale. Kjo për faktin se murali është punuar me një llak të veçantë që mundëson që të pastrohet lehtë.

    Përveç kësaj, grupe të krahut të djathtë janë organizuar dhe e kanë ruajtur muralin.

    Komuna Vraçarit në Beograd, në territorin e së cilës gjendet ndërtesa ku është pikturuar murali i Mlladiqit, tha më 9 dhjetor se në përputhje me rregulloret në fuqi dhe me kërkesën e qiramarrësve të ndërtesës, e ka hequr muralin e Mlladiqit. Megjithatë, murali u rikthye për më pak se gjysmë orë.

    Organizata Nisma e Rinisë për të Drejtat e Njeriut u përpoq që ta hiqte muralin e Mlladiqit më 9 nëntor, në Ditën Ndërkombëtare kundër Fashizmit, por u pengua nga policia, e cila tha se ka mundësi që të ketë përplasje ndërmjet mbështetësve dhe kundërshtarëve të protestës së thirrur po atë ditë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!