Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së Covid-19, rregulla strikte janë vendosur edhe për sektorin e gastronomisë.
Ndër ato më të rëndësishmet është që në një lokal, numri maksimal i personave që lejohen në një tavolinë është 5, shkruan Reporteri.
Mirëpo, këto rregulla nuk po respektohen kur bëhet fjalë për stafin e kryeministrit Hoti.
Në një fotografi të publikuar së fundmi, ata shihen duke drekuar në një restaurant, por në tavolinë janë gati dyfishi i personave të lejuar.
Në foton e publikuar shihen 9 persona, pjesë e stafit të kryeministrit Hoti.
Ndryshe, vetë kryeministri Hoti dje publikoi fotot në një nga lokalet në kryeqytet, që siç tha ai është shembull për respektimin e masave.
Jo pak herë vetë kryeministri Hoti por edhe Ministri i Shëndetësisë ka kritikuar sektorin e gastronomisë për mosrespektim të masave, duke e cilësuar si një nga sektorët që po ndikon në rritjen e numrit të rasteve duke mos respektuar masat.
Kujtojmë se javën e fundit në Kosovë është rritur dukshëm numri i rasteve me Covid 19. Vetëm në dy ditët e fundit në vendin tonë janë shënuar afro 300 raste me Covid-19. /Reporteri.net