×
  • Lajme
  • Lajme / Vizita e emisarit të BE-së

    Në ora 17:35 parashihej takimi në qeveri, Kurti s’e pret Lajçakun

    Reporteri
    18 Qershor 2024 | 17:34

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi ka arritur në Prishtinë, ku parashihej të zhvillonte takime edhe me krerët e shtetit, presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti.

    Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se Kurti nuk e ka pritur për këtë takim të pasdites emisarin sllovak.

    Sipas agjendës, të cilën e ka parë Gazeta Online Reporteri.net, takimi i Lajçakut me Kurtin pritej të zhvillohej në ora 17:35 deri në ora 18:10.

    Poashtu, mediumi ka provuar të kontaktojë edhe me zëdhënësin e qeverisë, Përparim Kryeziun, por i njëjti s’është përgjigjur.

    Gjithashtu takimi që pritej të zhvillohej me të parën e shtetit, Vjosa Osmanin, e që ishte i pari, për të vazhduar më tej me Kurtin, s’është mbajtur, e gjitha kjo, siç dhe raportoi Gazeta Online Reporteri.net gjatë ditës, se presidentja nuk është dakorduar për orën me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak.

    Një gjë e tillë u konfirmua për Gazetën Online Reporteri.net edhe nga këshilltari për media i Presidencës, Bekim Kupina.

    “Presidentja Osmani nuk ka takim me z.Lajçak, shkaku i mospërputhjes me agjendën e paracaktuar të Presidentes”, tha ai për Reporteri.net.

    Ndonëse, as Osmani dhe Kurti s’takuan Lajçakun, ky i fundit pritet të takohet vetëm me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimin, takim të cilin e kanë konfirmuar edhe nga vetë Qeveria përmes një komunikate lëshuar për media.

    Siç raportoi Gazeta Online Reporteri.net pak më parë, emisari Miroslav Lajçak ka ardhur nga Athina me fluturim për në Shkup, ku ka ateruar rreth orës 13:55.

    Më pas nga aty është transferuar për në Prishtinë me veturë, për të arritur rreth orës 15:30. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!