×
  • Lajme
  • Lajme / "Për pak realitet"

    Në prag, Kosovës i mbyllen dyert e mëdha drejt Këshillit të Evropës

    Reporteri
    17 Maj 2024 | 17:03

    Ndonëse Kosova i ka ende shpresat e pashuara, sot iu mbyll dera drejt anëtarësimi në Këshillin e Evropës. Këtë e kumtoi edhe vet ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, ndonëse Presidentja e vendit Vjosa Osmani, thotë se anëtarësimi është vetëm çështje kohe, shkruan Reporteri.net.

    Gërvalla tha se në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të KiE-së nuk u mor vendim që të thirret një mbledhje e jashtëzakonshme për anëtarësimin e Kosovës. Gërvalla tha se ky qëndrim është në shpërputhje me thirrjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila në opinionin e saj tha se Kosova duhet të anëtarësohet, pa parakushte shtesë.

    Duke folur për letrën që Qeveria e Kosovës ia nisi dje KiE-së, e ku zotohej për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit, deri në fund të majit, Gërvalla tha se përkundër që për këtë letër u konsultuan me partnerët e shteteve anëtare në këmbim të një vendimi pozitiv, kjo nuk u mor parasysh.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, tha ajo.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në anën tjetër, tha se Kosova do të jetë anëtarja e 47 e Këshillit të Evropës dhe se kjo është vetëm thjeshtë çështje kohe.

    “Në këtë rrugë, ne nuk do të cenojmë vlerat që përbëjnë themelin e vendit tonë.Pasi të jemi atje, ne do të vazhdojmë të qëndrojmë për shtyllat që përcaktojnë Këshillin e Evropës: të drejtat e njeriut, demokracia dhe shteti i së drejtës. Ne nuk do të shërbejmë si dorë e zgjatur e Rusisë apo si model i sjelljes autokratike.I jemi mirënjohës të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë fitore të të drejtave të njeriut më herët sesa vonë”, ka shkruar Osmani më 17 maj.

    Kosova mbeti jashtë agjendës, presidentja Osmani: Do të hyjmë në KiE, është çështje kohe

    Moskoordinimi Qeveri-Presidencë

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, megjithatë, më 16 maj, pak orë pasi Qeveria e Kosovës nisi letrën në Këshillin e Evropës, tha se nuk është konsultuar e as dakorduar me të.

    “Presidentja Osmani përkrahë vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës, si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën”, thuhej në deklaratën nga Presidenca.

    Në deklaratën që ka lëshuar dje këshilltari për media në Presidencë, Bekim Kupina, thuhet se çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione.

    “Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Evropës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi.

    Rrjedhimisht, Presidentja Osmani do ta mbështesë çdo veprim në drejtim të realizimit të këtij synimi, në përputhje të plotë me interesat shtetërore dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Prandaj edhe po bën përpjekje që shtetet anëtare të binden që sa më parë që të jetë e mundur të thirret një seancë e jashtëzakonshme ku do të votohet pro anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë”, thuhet në njoftimin e tij.

    Reagon Presidenca: Qeveria nuk është konsultuar me presidenten për letrën që e dërgoi në KiE

    Një muaj prapa

    Kur më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i dha dritën e gjelbër raportit të deputetes greke Dora Bakoyannis që fton KiE-në të pranojë Kosovën si anëtare të saj, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se “kjo është një ditë e madhe” për Kosovën.

    Mbështetja e madhe që Kosova mori në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, u konsiderua si shumë e rëndësishme dhe tashmë Kosova ndodhej vetëm një hap larg drejt Këshillit të Evropës.

    Kryeministri Kurti ia atribuoi këtë sukses diplomacisë kosovare. Një muaj pas këtij zhvillimi, nga një hap larg, Kosovës duket se tashmë i ka humbur rruga për në KiE.

    Kosova edhe një hap më afër anëtarësimit në Këshillin e Evropës

    Çfarë ndodhi?

    Disa nga vendet perëndimore, përfshirë Francën dhe Gjermaninë, e shndërruan në kusht për votën e tyre hedhjen e hapave konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit, në bazë të një projektstatuti të hartuar nga diplomatë perëndimorë që iu dorëzua palëve në tetor të vitit të kaluar.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha javën e kaluar se nuk e pranon kushtëzimin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke cilësuar “absurd” një kushtëzim të tillë.

    Kurti tha se Kosova e meriton anëtarësimin në KiE pasi plotëson standardet e kërkuara, por shtoi se kërkesa për Asociacionin, si kusht për t’i hapur rrugë Kosovës drejt KiE-së, është absurde dhe joparimore. Kurti u shpreh i zhgënjyer edhe me aleatët e Kosovës, teksa tha nuk e mendonin që shtetet që kanë qenë përkrahëse të Kosovës drejt çlirimit dhe pavarësimit, do të ishin pengesë për rrugën drejt KiE-së.

    Ndërkaq, presidentja e vendit Vjosa Osmani tha  se teksa Kosova po kushtëzohet me hapa drejt Asociacionit për t’u pranuar në KiE, në anën tjetër, askush s’po i kërkon Serbisë të bëjë pjesën e saj. E para e shtetit tha se kjo është mungesë totale e baraspeshës që minon kredibilitetin e dialogut.

    Zotimi për draft-statutin e Asociacionit

    Derisa 17 maji po afrohej, e Kosova nuk ishte futur ende në agjendë të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Qeveria e Kosovës u  zotua për krijimin e një draft-statuti për Asociacion dhe dërgimin e tij në Kushtetuese deri në fund të muajit maj. Kjo përmes një letre që kryediplomatja Donika Gërvalla-Shwarz i nisi KiE-së.

    Letra që u shkrua e u dërgua të mërkurën, në publik doli të enjten në mëngjes përmes një njoftimi që e lëshoi vetë Gërvalla-Schwarz. Ndërkohë që Kryeministri Albin Kurti ndodhej në Kotor të Malit të Zi, ku po merr pjesë në një samit BE-Ballkani Perëndimor, derisa Presidenca e Kosovës u distancua nga veprimi pasi “nuk është konsultuar dhe dakorduar me Presidenten Vjosa Osmani”.

    Disa orë më pas, në një konferencë për media, Gërvalla tha se presin nga partnerët ndërkombëtarë që ta vlerësojnë këtë lëvizje të Kosovës më mënyrë që Qeveria të bëjë hapa tutje drejt përgatitjes së draftit, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Ndonëse në letrën e saj thekson se Qeveria e Kosovës është duke punuar në hartimin e draftit, në konferencë për media, kryediplomatja ka thënë se kjo çështje është vetëm në fazën e zotimit.

    Reagime

    Ambasada gjermane në Prishtinë, duke u thirrur edhe në vendet e tjera të QUINT-it- SHBA-në, Britaninë, Francën dhe Italinë – tha se kërkesë e tyre ishte dorëzimi i draft-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.

    “Kosova tani duhet ta bëjë punën e vështirë. Kjo nuk ka ndodhur ende”, tha ambasada gjermane në Kosovë në një përgjigje për Reporteri.net.

    Ambasada gjermane në Kosovë: Dorëzimi i draft-statutit për Asociacionin i pritshëm, por “hapi i vështirë ende nuk ka ndodhur”

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Online Reporteri.net ka komentuar draft-statutin e Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.

    “Përmbajtja e draft-statutit të paralajmëruar se do të hartohet nga Qeveria e Kosovës nuk dihet dhe nuk është diskutuar me Serbinë dhe lehtësuesin e BE-së (Miroslav Lajçak). Prandaj, është e pamundur të vlerësohet përputhshmëria e tij me Marrëveshjet e 2013 dhe 2015 në këtë fazë”, tha Stano për gazetën online Reporteri.net.

    Stano: Draft-statuti për Asociacionin nuk u diskutua me Serbinë dhe Lajçakun, nuk dihet a përputhet me Marrëveshjet 2013-2015

    Gjithçka në pikën zero – Letra s’ka më kuptim

    Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, pohoi sot se letra e dërguar dje në KiE, është konsultuar me partnerët e shteteve anëtare në këmbim të një vendimi pozitiv për Kosovës, porse kjo nuk u mor parasysh. Kësisoj, letra që u nis dje rrjedhimisht e humbi relevancën, pasi Kosova nuk u fut në agjendë.

    “Qeveria e Republikës së Kosovës bëri një propozim dje (përmes një oferte të shënuar në një komunikim përmes letres drejtuar KiE-së) të arsyeshëm për tejkalimin e bllokadës që kishte krijuar ky parakusht i fundit. Edhe pse oferta jonë, e konsultuar me partnerë të shteteve anëtare, në këmbim të një vendimi pozitiv sot në Komitet të Ministrave ofroi një platformë të gjerë të punës së përbashkët, ajo ofertë nuk u mor parasysh. Rrjedhimisht ajo letër me ofertë e humbi vetvetiu aktualitetin dhe relevancën pas mbledhjes së sotshme të Komitetit të Ministrave”, tha Gërvalla më 17 maj.

    Rregullorja

    Me rregullore, Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, që përbëhet prej 46 vendesh anëtare, mblidhet një herë në vit, që do të thotë se takimi i radhës do të jetë në maj të vitit 2025.

    Për t’u pranuar në Këshillin e Evropës, në favor të vendit aplikues duhet të jenë së paku dy të tretat e votave në Komitetin e Ministrave.

    Nga 46 vende anëtare sa ka organizata, Kosovën e kanë njohur 34.

    Për të siguruar anëtarësinë, në favor të saj do të duhej të votonin ministrat e së paku 31 vendeve.

    Tash për tash, Kosova mbetet në vendndalim, derisa vendi kryesues i Këshillit të Evropës ta nxjerrë në agjendën e Komitetit të Ministrave – qoftë në mbledhje të jashtëzakonshme, qoftë në cilëndo mbledhje të rregullt në vitet e ardhshme. Në parim, procedura në Asamblenë Parlamentare nuk përsëritet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!