×
  • Lajme
  • Lajme

    Nga spitali i Sofjes flasin për gjendjen e të mbijetuarve të tragjedisë në Bullgari

    Reporteri
    28 Nëntor 2021 | 11:36

    Pacientët e akomoduar për trajtim në spitalin e Sofjes, “Pirogov” pas aksidentit tragjik në autostradën “Struma” në Bullgari, përgjithësisht janë në gjendje stabile dhe të mirë, kanë njoftuar nga ky institucion mjekësor.

    Aktualisht në Klinikën e Djegieve dhe Kirurgjisë Plastike janë katër pacientë të cilët e kanë kaluar natën në përputhje me pritshmëritë e stafit mjekësor të spitalit, raporton gazeta bullgare, Trud.

    Në Klinikën e Neurokirurgjisë është shtruar një pacient me frakturë, i cili iu nënshtrua operacionit në fillim të kësaj jave. Operacioni i shtyllës kurrizore rezultoi i suksesshëm dhe procesi i rikuperimit ishte pa komplikime. I njëjti pacient i është nënshtruar një operacioni të suksesshëm në pjesën e poshtme të këmbës në Klinikën e Ortopedisë dhe Traumatologjisë.

    Dy të mbijetuarit e aksidentit në autostradë janë liruar të shtunën dhe kanë udhëtuar drejt atdheut të tyre me transport mjekësor të organizuar nga Maqedonia e Veriut.

    Në fillim të javës së ardhshme, pas një vlerësimi të gjendjes shëndetësore të pacientëve, do të bëhet lirimi gradual i tyre.

    45 persona, shumica shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, kanë gjetur vdekjen në rrethana tragjike në orët e para të mëngjesit të së martës, pasi një autobus është përfshirë nga flakët në një autostradë në perëndim të Bullgarisë.

    Në mesin e viktimave të aksidentit kishte edhe fëmijë.

    Në autobus besohet se kanë qenë mbi 50 persona.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!