Një person ka mbetur i vrarë mbrëmë në Prishtinë në një incident me të shtëna me armë zjarri, shkruam gazeta online Reporteri.net.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:15 në rrugën “Jeronim De Rada”. Nga të shtënat me armë ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër. Sipas raportimeve në media, e plagosura është një kalimtare e rastit, informacione këto që ende nuk janë konfirmuar zyrtarisht.
Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor, ndërkohë që e plagosura është dërguar me urgjencë në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës për trajtim mjekësor.
Zëdhënësi i Policisë në Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, konfirmoi rastin.
“Rreth orës 21:15 është raportuar për gjuajtje me armë zjarri të ndodhur në rrugën “Jeronim De Rada” në Prishtinë. Me të marrë informatën, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para është bërë e ditur se për pasojë dy persona kanë marrë plagë nga arma e zjarrit ku fatkeqësisht njëri nga ta ka ndërruar jetë”, tha Borovci.
Ndërkohë, tha Borovci, që e plagosura është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Të dyshuarit ende nuk janë identifikuar dhe policia bëri të ditur se është vënë në kërkim të tyre.
“Policia po vijon punën e saj me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin e të dyshuarve të implikuar në rast, si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha Borovci./Reporteri.net/.