×
  • Lajme
  • Lajme

    Organizatat ndërkombëtare alarmohen pas zgjedhjes së aktivistit të VV-së drejtor në RTK

    Reporteri
    01 Shkurt 2023 | 13:10

    Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rilind Gërvalla, është zgjedhur dje unanimisht nga Bordi i RTK-së drejtor i kanaleve televizive në shqip. Organizatat ndërkombëtare të gazetarëve dhe mediave kanë reaguar për politizimin e menaxhmentit të RTK-së. Ato kërkojnë anulim të vendimit dhe proces të ri të rekrutimit.

    Qendra Evropiane për Shtyp dhe Lirinë e Medias (ECPMF) thotë se zgjedhja e Gërvallës shkatërron përpjekjet për depolizim të transmetuesit publik nga bordi që kishte marrë përkrahje për pavarësim të RTK-së nga partitë politike.

    “Ndjejmë keqardhje për vendimin e bordit të RTK-së për ta zgjedur Rilind Gërvallën drejtor të televizionit. Z. Gërvalla është aktivist i partisë në pushtet. Zgjedhja e tij shkatërron përpjekjet e bordit, që kishte përkrahjen tomë, për depolitizim të transmetuesit publik”, thuhet në reagimin e ECPMF-së.

    Para dhe pas zgjedhjes së Gërvallës ka reaguar edhe Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ).

    Në reagimin e fundit, Sekretari i Përgjithshëm i EFJ-së, Ricardo Gutierrez, ka shkruar se duke e zgjedhur aktivistin e VV-së drejtor, Bordi i RTK-së konfirmon ngecjen e VV-së në transmetuesin publik.

    “Kjo zgjedhje partiake është në kundërshtim me zotimet për ta depolitizuar dhe çkapur transmetuesin publik. EFJ ndjen keqardhje për këtë vendim”, ka shkruar Gutierrez.

    Para se bordit të votonte dje, Gazeta Express kishte raportuar për lidhjet e Gërvallës me Lëvizjen Vetëvendosje. Sekretari i EFJ-së kishte shpërndarë shkrimin, duke i kërkuar bordit të mos zgjidhte kandidatët që janë të lidhur me politikën.

    Rrjeti Global për Media të Lira – IPI ka shprehur shqetësimin për përzgjedhjen që e bëri dje bordi.

    “Progresi vështirë i arritur në reformimin demokratik të transmetuesit publik, RTK, është vital për lirinë e mediave dhe nuk duhet të minohet. IPI sot rishpreh shqetësimet për procesin e fundit të emërimit të drejtorit të televizionit, pas zgjedhjes nga Bordi, dje”,  thuhet në reagimin e IPI.

    Tutje IPI kërkon që vendimi i djeshëm i Bordit të anulohet dhe të organizohet proces i ri rekrutimi, për ta përzgjedhur një kandidat profesional, që s’ka lidhje as me Qeverinë, as me ndonjë parti politike.

    Drejtori i zgjedhur i televizionit publik, ndër vite, kishte dëshmuar afërsi me partinë që tani është në pushtet dhe me zyrtarë të lartë të saj, si anëtarët e kryesisë Arbër Zaimi e Boiken Abazi. Ka fotografi ku Gërvalla shihet i rrethuar me figura të VV-së, në zyra të partisë. Emri i tij figuron edhe si donator në parti.

    Por, Gërvalla, pas përzgjedhjes drektor, thotë se i janë bërë sulme “bazuar në propagandë dhe fabrikim”.

    “Pas sulmeve publike të këtyre ditëve, të bazuar në propagandë dhe fabrikim, jam pak i indinjuar, por më shumë i brengosur se në ç’masë kanalet e komunikimit në ditët e sotme arrijnë ta bëjnë ndërmjetësin e  interesave të caktuara pa bërë hulumtim të detajuar. Për hir të korrektësisë mediatike, do të më duhet të ndërmarrë rrugë ligjore për të gjitha përpilimet e pasakta në emrin tim”, ka shkruar Gërvalla.

    Më poshtë ka thënë se do t’i fshijë të gjitha komentet, që ai do të konsideronte se po “shpërndajnë urrejtje”./Gazeta Express

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!