×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, krim makabër e çnjerëzor

    Reporteri
    30 Nëntor 2022 | 21:17

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar për rastin e vrasjes së shtatzënës 35-vjeçare në oborrin e QKUK’së, duke e quajtur këtë krim makabër e çnjerëzor.

    Osmani ka thënë se sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Sonte vajton një Kosovë e tërë për gruan që s’arriti të bëhet nënë, për bijën e humbur, për jetën që u shua pa të drejtë. Sonte vajtojmë për jetën e palindur që nuk frymoi kurrë, për jetën që nuk erdhi në jetë.

    Një tjetër krim makabër e çnjerëzor. Një tjetër “burrë” që nuk mund të quhet qenie njerëzore, por që ia mori jetën gruas dhe fëmijës që do të bëhej gëzimi e jeta e nënës”, ka shkruar Osmani.

    Sipas Osmanit, përgjigja për dhunuesit, abuzuesit dhe vrasësit është rendi dhe ligji e dënimi maksimal.

    “Borxhi ynë ndaj viktimave të dhunës, jetëve të palindura e jetëve të ndërprera pa të drejtë është një dhe i vetëm: DREJTËSI!”, ka shkruar Presidentja.

    Rastin për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti.

    Sipas Ahmetit, viktima është 35-vjeçare.

    “Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës, femër, rreth 35 vjeç. Mbështetur në informacionet e para, dyshimet e ngritura sugjerojnë se bëhet fjalë për vrasje. Aktualisht policia në koordinim me prokurorin e shtetit ka nisur një hetim dhe po vijon ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore dhe të ekzaminimit, me qëllim sqarimin e plotë të ngjarjes”, ka thënë Ahmeti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!