×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Abdixhiku: Në aneks-marrëveshjen nuk ka obligime për Serbinë

    Reporteri
    22 Mars 2023 | 7:39

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovë, Lumir Abdixhiku, ka folur për aneksin e propozimit evropian për dialogun, për të cilin u dakorduan kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq në Ohër, të shtunën.

    Kreu i LDK-së ka deklaruar se Serbisë nuk i kërkohen obligime.

    “Kjo marrëveshje jep dy gjëra, e para i kërkon Serbisë normalizimin me Kosovën, por pa njohje. E dyta, i kërkon Kosovës disa obligime”.

    “Në këtë marrëveshje apo aneks-marrëveshje nuk ka obligime për Serbinë. Më thoni nga pikat që janë në aneks, çfarë obligime ka Serbia? Obligimet për Serbinë nuk janë të detajuara”, ka thënë Abdixhiku në Rubikon.

    Ndër të tjera, kreu i LDK-së gjatë ditës së djeshme tha se në dialog janë bërë lëshime të mëdha.

    Ai tha se këto lëshime, jo vetëm se ia humbin Kosovës mundësinë për ta avancuar pozitën e saj shtetërore, por edhe po shndërrohen në kushte të pashmangshme.

    “Sot, mbajtëm mbledhjen e radhës së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës. Diskutuam për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks të veçantë mbi temën e dialogut dhe lëshimet e mëdha të bëra në këtë proces”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

    “Këto lëshime, përveç se humbje e një mundësie për avancim substancial të pozicionit shtetar të Kosovës, tashmë po shndërrohen dhe në kushte obligative integruese për vendin tonë; adaptimi me të cilat do të jetë sa i pashmangshëm aq edhe sfidues”, tha Abdixhiku.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!