×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Anton Quni i reagon Driton Selmanajt: ‘Dream Team’ në krye me Lumirin, LDK-së po i kthehet dinjiteti

    Reporteri
    21 Mars 2021 | 13:28

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, i është kundërpërgjigjur deputetit të kësaj partie, Driton Selmanaj, i cili sot ka kritikuar liderin e partisë, Lumir Abdixhikun. Selmanaj ka thënë se sjellja e Abdixhikut për t’u takuar veçmas me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i bën dëm LDK-së.


    Quni ka shkruar në Facebook se Abdixhiku ishte i fundiut nga liderët e partive që takoi Vjosa Osmanin dhe se këtu nuk kishte as “turr” as “vrap”.

    “Lumiri ishte i fundit nga liderët e partive që takoi, zj Osmani; në konsultim gjithëpërfshirës me strukturat e LDK-së. Nuk kishte as “turr” e as “vrap”! LDK-së po i ri-kthehet dinjiteti me hapa shumë të sigurt. “Dream Team” në krye me Lumirin”, ka shkruar Quni.

    Këto komente të Qunit vijnë pasi Driton Selmanaj, i cili mbeti jashtë strukturave udhëheqëse të LDK-së, ka thënë se sjellja e Abdixhikut për t’u takuar veçmas me ushtruesen e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, i bën dëm LDK-së.

    “Çdo përpjekje për ta nda apo diferencu Vjosen nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferu mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.

    Ai ka thënë se LDK-ja rrëzohet edhe më shumë me këto veprime, që sipas tij ia humbin dinjitetin edhe atyre që në zgjedhjet e fundit parlamentare votuan për këtë parti.

    ““Turri dhe vrapi” për ta takuar Vjosen, nuk është asgjë tjetër pos turr për ta rrëzuar edhe më shumë LDK dhe dinjitetin e 110 mijë votuesve QËNDRESTARË të saj. LDK✌️”, ka shkruar Selmanaj.

    Abdixhiku u takua të premten me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin për të diskutuar rreth formimit të institucioneve të reja, përfshirë zgjidhjen e çështjes së presidentit. Pas takimit ai tha se do të kërkojë takim vetëm me Osmanin.

    Për këtë, Abdixhiku dje mori edhe miratimin e anëtarëve të Kryesisë së re të partisë, jashtë së cilës e la Driton Selmanajn. Abdixhiku tha se do të jetë në diskrecion të Osmanit që ta caktojë kohën dhe vendin e takimit, derisa theksoi se nuk duan presidente njëpartiake.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!