Certifikohen rezultatet për Prizren dhe Kllokot, Vetëvendosje kundërshton

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve për kryetar të Prizrenit dhe Kllokotit, pas konfirmimit nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë ankesë të mundshme.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se kanë pranuar vendimin e Supremes që nuk ka asnjë ankesë në këtë institucion.

“Ne e kemi pranuar nga Gjykata Supreme që nuk ka asnjë ankesë dhe rekomandohet certifikimi i zgjedhjeve në Kllokot”, tha Radoniqi.

Reporteri.net më herët raportoi edhe për dokumentin me njoftim që Enver Peci nga Supremja ia ka drejtuar KQZ-së.

Supremja asnjë ankesë për rundin e dytë të zgjedhjeve në Kllokot e Prizren, i shkruan KQZ-së

Ndërkaq certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve në Prizren, mori pak më shumë kohë, pas pretendimeve të anëtarit të Vetëvendosjes, Alim Ramës, ku ky i fundit pretendon se kanë dërguar ankesë në Gjykatën Supreme për rezultatin e zgjedhjeve në këtë komunë, njofton eo.

“Brenda një ore e marr kopjen e ankesës. Ankesa është dorëzuar në Supreme”, deklaroi Rama.

Kundër kësaj u shprehën anëtarët e PDK-së në këtë institucion.

Certifikimi i këtij rezultati u votua me tetë vota pro, një kundër dhe një abstenim.