Kandidatja për presidente të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Vjosa Osmani ka thënë se 200 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit kanë aplikuar për të votuar në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkruan Reporteri.net.
“Edhe këtë herë e dëshmuat se Kosova ka qenë dhe mbetet në mendjen e zemrat tuaja përherë. Rreth 200 000 nga ju, edhe pse në pamundësi të jeni prezent fizikisht në këto zgjedhje, na e dëshmuat që s´ka asnjë barrierë që mund të ju ndalë për të shprehur vullnetin tuaj e të jepni kontributin tuaj të drejtpërdrejt për ndryshimin e madh”, ka shkruar ajo në Facebook.
Osmani ka theksuar se vota e tyre do t’i japë frymë Kosovës.
“Së bashku me shumë nga ju që udhëtuan e do të udhëtojnë me kilometra të tëra për të ardhur në Kosovë, më 14 shkurt le t’i japim frymë Kosovës së ëndrrave tona më të bukura:, ka shtuar Osmani.
Ju faleminderit nga zemra.
Vjosa