×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Marsi me rekord të zi në Kosovë: Vdiqën 273 persona nga COVID-19 dhe u konfirmuan mbi 21 mijë raste pozitive

    Reporteri
    01 Prill 2021 | 11:53

    Fiks një vit pas konfirmimit të dy rasteve të para me coronavirus në Kosovës, muaji mars shënon gjendjen më të rënduar me pandeminë që nga fillimi i saj.
    Që nga 1 marsi e deri më 31 mars, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, janë konfirmuar gjithsej 20 mijë e 87 raste të reja pozitive me coronavirus, ndërkaq kanë vdekur 273 pacientë që ishin të infektuar me COVID-19.


    Ditën e parë të marsit, Kosova shënonte 1 mijë e 608 raste të vdekjes nga coronavirusi, por në fund të muajit, kjo shifër shkoi në 1 mijë e 872, shkruan Reporteri.net.

    Në bazë të të dhënave të IKSHPK-së, vetëm brenda dy ditëve të fundit të marsit, janë regjistruar 28 viktima si pasojë e COVID-19.

    Mesatarja ditore e të infektuarve gjatë muajit mars është 680, ndërsa ajo e vdekjeve është 8 të vdekur.

    Kapacitetet spitalore kanë zënë që të shterohen, pasi që në Klinikat e QKUK-së është një numër shumë i madh i pacientëve të cilën po trajtohen për COVID-19.

    Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, ka thënë se mbi 80% e pacientëve me COVID-19 të shtrirë në spitalet dhe Klinikat e QKUK-së, po trajtohen me oksigjenoterapi.

    “Ne kemi më se tre javë si Kosovë që po shënojmë numër të madh të rasteve të reja të të infektuarëve që po përcillet edhe me numër të madh të të hospitalizuarëve. Kjo po tregon që masat nuk janë duke u respektuar dhe kjo po reflektohet në këtë numër të madh të rasteve të reja. Ne po bëjmë thirrje dhe po kërkojmë me ngulm që të respektohen masat që janë në fuqi, përndryshe, ky numër është jashtëzakonisht i madh dhe shumë shqetësues, kur kemi parasysh kapacitetet tona si sistem shëndetësor në përgjithësi.”, ka thënë ai.

    Ndërsa infektologu Sali Ahmeti, ka thënë të mërkurën se në Klinikën Infektive po punohet me kapacitete të plota dhe rastet janë tepër të rënda.

    Ai ka bërë thirrje tek qytetarët që të respektojnë me përpikmëri masat, pasi që situata me pandeminë tashmë është shumë e rënduar.

    “Në Klinikën Infektive jemi duke punuar me kapacitete të plota. Ata që po lirohen menjëherë po zëvendësohen me pacientë të rinj, kështu që Klinika është gjithmonë me kapacitete të mbushura. Rastet janë mjaft të rënda dhe ne po përpiqemi të ju ndihmojmë sa do që mundemi”, tha Ahmeti.

    Qeveria e re e Kosovës tashmë udhëhiqet nga Albin Kurti i Vetëvendosjes, i cili në pozitën e ministrit të Shëndetësisë e ka rikthyer ish-ministrin Arben Vitia, ende nuk ka ndërmarrë masa të reja kufizuese për parandalimin e përhapjes së virusit corona.

    Në takimin e fundit të ministrit të Shëndetësisë me kryetarët e Komunave, Vitia ka thënë se janë duke e bërë një vlerësim të përgjithshëm të situatës epidemiologjike në vend, të cilën janë duke e bërë së bashku me ekspertët shëndetësorë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe për çfarëdo ndryshim të masave që mund të ketë do ta bëjnë në bashkëpunim me Komunat.

    Ai kërkoi që të kenë një bashkëpunim sa më të mirë rreth menaxhimit me pandeminë, ku kërkoi nga komunat që të vazhdojnë të punojnë në respektim të masave të cilat janë fuqi.

    Ndryshe, të dielën e 28 marsit ka arritur edhe kontingjenti i parë i vaksinave anti-COVID, me 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca.

    E procesi i vaksinimit nisi një ditë pas, ku i pari që u vaksinua ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, për të vazhduar më pas me personelin shëndetësor, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

    Ndërkohë Programi i UNICEF-it për Kosovën, njoftoi se edhe 76,800 doza shtesë të vaksinës anti-COVID do të arrijnë në Kosovë deri në maj 2021 përmes COVAX.

    “76,800 doza shtesë të vaksinës COVID19 do të arrijnë në Kosovë deri në maj 2021 përmes COVAX. Ne nuk jemi të sigurt, derisa të gjithë të jenë të sigurt!”, shkruan në njoftimin e UNICEF.

    Kujtojmë se të mërkurën 14 pacientë të infektuar me coronavirus kanë humbur jetën, teksa janë konfirmuar edhe 923 raste të reja pozitive.

    Numri total i rasteve pozitive është 90.430 raste nga 425.850 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.872 raste të vdekjes.

    Numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 74.754 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.804. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!