Rreth 400 persona me kancer në Klinikën e Onkologjisë janë prekur nga Covid-19

Rreth 400 persona me kancer kanë qenë të infektuar me Covid-19 në Klinikën e Onkologjisë.


Këtë e konfirmoi në një intervistë për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike, Ilir Kurtishi.

“Atëherë në bazë të disa të dhënave që ne i kemi këtu në klinikë, numri i pacientëve me kancer të cilët kanë qenë edhe të prekur me Covid-19 shkon diku rreth 300-400 persona të infektuar, mund të jetë numri edhe më i lartë por ne jemi duke i grumbulluar të dhënat që një kohë dhe këta që kanë qenë në trajtim onkologjik, me trajtim në klinikën tonë, kanë tejkaluar sëmundjen si një gjendje gripoze dhe ndonjëri nga ta ka pasur nevojë edhe për hospitalizim qoftë në Klinikën Infektive ose Pulmologjisë. Marrë parasysh rrezikshmërinë dhe seriozitetin e infeksionit me Covid-19 këta pacientë në përgjithësi kanë kaluar mirë”, tha ai.

Tutje, Kurtishi tha se nuk kanë të dhëna se në këtë klinikë ka vdekur ndonjë pacientë si pasojë e Covid-19.

“Të vdekur ata që kanë qenë në klinikë tek ne dhe në mjekimin onkologjik ne nuk kemi të dhëna që dikush ka vdekur, në përjashtim të ndonjë që ka qenë në mjekim dy-tri vite ose më gjatë dhe pastaj ndoshta ka pasur infektim me Covid dhe nga komplikimet e ndryshme mund të ketë ekzistuar”, theksoi ai

Sipas drejtorit të Onkologjisë pacientëve që janë të prekur edhe me Covid-19 u pezullohet trajtimi për kancer deri në dy-tre javë.

“Mund të ketë, mirëpo ata që na lajmërojnë që kanë Covid-19 dhe që janë në trajtim onkologjik ne e pezullojmë mjekimin specifik ose e shtyjmë për dy-tre javë deri sa të kalojnë shenjat e sëmundjes dhe derisa trupi ta merr veten, pra pacienti të ndihet më mirë dhe në bazë të ekzaminimeve radiologjike ne vendosim se kur është koha e fillimit të mjekimit prapë me ilaçe ose rrezatim tek ata persona të cilët kanë nevojë”, deklaroi Kurtishi.

Tutje, ai tha që deri në qershor të vitit të kaluar kanë pasur vetëm dy raste të pacientëve me kancer të prekur me Covid-19.

“Është shumë sfiduese, sidomos muajt e parë të vitit të kaluar, pra fillimi i pandemisë ku pacientët me kancer janë kategorizua nga OBSh-ja si kategoria e katërt e më të rrezikuarve me Covid-19 dhe nga pasojat e saj, dhe këta kanë pasur sfidë dhe stres shumë të madh bashku me ne. Kemi bërë një planifikim dhe një organizim të shërbimeve dhe deri në qershor nuk kemi pasur asnjë rast të infektuar me Covid, ose kanë qenë vetëm dy raste në fillim por që e kanë kaluar shumë lehtë, dhe pas lirimit të masave numri i të infektuarve ka qenë më i lartë, mirëpo prapë kanë kaluar mirë”, përfundoi ai.