×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Skandalet në Ministrinë e Bujqësisë: Fermeri rrëfen se si iu kërkua ryshfet për grantin e fituar

    Reporteri
    25 Shkurt 2021 | 12:39

    Mëngjesin e së mërkurës u arrestuan 10 zyrtarë të institucioneve shtetërorë dhe 2 qytetarë nën dyshimin e keqpërdorimit dhe ryshfetit për grante në Ministrinë e Bujqësisë.


    Në shtëpitë e zyrtarëve njësitë speciale konfiskuan mbi 400 mijë euro.

    E duket se raste të tilla ku u është kërkuar ryshfet fermerëve janë të shumta.

    Fermeri Bedri Duraku, nga Krusha e Rahovecit ka rrëfyer se si iu mohua granti për rritjen e viçave në këtë ministri pikërisht pasi nuk pranoi të jepte ryshfet.

    Duraku ka rrëfyer për Gazetën inFokus për këtë rast i cili ndodhi në vitin 2018, kur kryeshefi i Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor në atë kohë sipas tij ishte Ekrem Gjoka, ndërsa Agim Nuha njëri nga të arrestuarit e ditës së djeshme ishte shef i autorizimit të pagesave.

    “Unë e kom realizuar projektin e kom fituar atë, e kam përfunduar krejt mënyrën e investimit, por pasi i kam dërguar faturat e pagesave që i kam lidh me firma të ndryshme për më i kryer punët kanë filluar me dal probleme. Ka shkuar lënda në pagesa në qershor të 2019. Unë shkove tek ta në takim me Agim Nuhën dhe kryeshefin e atëhershëm edhe prapë shkoi lënda për pagesa e prapë u kthye mbrapsht. Unë fillova një konflikt verbal me ta”, ka treguar Duraku.

    Sipas tij kur lënda nuk ju pranua herën e parë arsyet e ministrisë ishin të kota dhe në mënyrë indirekte atij iu kërkua ryshfet në mënyrë që ti lëshoheshin mjetet për të bërë pagesat.

    “Arsyen për kthimin prapë të lëndës e kishin vetëm sa për sy e faqe se kinse unë jam vonuar për dorëzimin e faturave, 34 ditë nëse nuk gaboj kështu më kanë thënë. Kur e mora ta shikoj nuk më dilnin ditët që jam vonuar por para se të shkoj lënda herën e parë përmes tjerëve jo direkt më kanë thënë duhesh me dhanë pare dhe unë nuk jam mësuar me dhanë në këtë mënyrë pare se isha mësuar me meritë. Dhe unë i thashë po takohemi dhe fillimisht i thashë sa po donë ti e kisha plan me i shkruar paret që po i kërkojnë dhe me i paraqit në policinë për krime ekonomike atëherë ata me ra në kurth por ata nuk pranuan me u taku dhe filluan telashet”, ka deklaruar Duraku.

    E madje për këtë ai kishte bërë edhe ankesë e kur iu refuzua ankesa ai bëri edhe padi në gjykatë e edhe pagesën për faturat iu desh ti paguaj vetë.

    “Unë kisha të drejtë ankese e bëra ankesën në komision aty tash komisioni u duhke të marrë vendim për një muaj nëse nuk gaboj ashtu në bazë të tyre dhe kur e kthyen më refuzohet komplet projekti edhe unë i padita në gjykatë. Lënda nuk ka përfunduar, kjo pjesa e granteve 2015-2021 është aq e komplikuar sa që vetëm ne e dimë çfarë maltretime përjetojmë me ta. Edhe ne është dashur krejt projektin e investimit këtë 95 mijë e 360 euro me mbyll vetë me fatura të paguara dhe fatmirësisht që askujt nuk i kam borxh sepse askush s’do të më priste mua 3 vjet për pagesa. Pagesën komplet e kam bërë vet”, ka pohuar ai.

    Siç deklaron fermeri të cilit iu refuzua granti zyrtarët e ministrisë në mënyrë indirekte duke mos i caktuar shumë të parave se sa duhet të japë që të marr grantin i kanë thënë “sa po don ti të japësh”.

    “Unë në ndërkohë shkova se zyrtari regjional që mi ka pranu faturat më thirri në telefon dhe më tha Bedriu kështu ka dal një problem kishe që jam vonuar dhe unë shkova atje dhe kur shkova atje lënda ime ishte lënë në pushimore të dritares ndërsa të tjerat në tavolinë qysh i palojnë me njëfare salle aty. E lypsha unë të drejtën time që më takon dhe më thanë që lënda ka shkuar në pagesa dhe ti je vonu kjo punë është kry, mënyra se qysh na trajtofshin ata ishte shumë e pakuptimtë për ne”, ka deklaruar ai.

    Duraku nuk e di se kush kanë qenë personat që i kanë kërkuar ryshfetin pasi nuk i kanë treguar emrat.

    “Mua më kanë kontaktuar përmes dikujt tjetër nëse nuk gaboj kanë qenë inspektorë të zyrave regjionale dhe përmes krejt dikujt tjetër, dhe nuk e di saktësisht se po ti dija emrat do ti tregoja, përderisa edhe i kam paditur nuk kam frikë nga askush, se askujt borxh nuk i kam dhe më askënd kurrë nuk kam pasur telashe. Shuma e grantit ka qenë 95 mijë e 36- euro, por 65% pjesëmarrje të ministrisë, AZHB-së dhe 35% për fermerin. Dhe tash në bazë të kontratës ata kanë pas me i lëshu 62 mijë euro”.

    E i njëjti ka edhe akuza të rënda për Agim Nuhën njërin nga të arrestuarit e djeshëm të cili edhe i kishte thënë “mos vdeksha pa të pa prapa grilave”.

    “Unë kam sakrifikuar nuk ka rëndësi mjetet që i kam mbuluar, mjetet për me i bë pagesat unë, por më vike zor pse me na trajtu në këtë mënyrë ata, se për neve janë t’u punu ata aty. Ata nuk guxojnë të bëjnë gjëra të tilla por ka vite që i bëjnë, se një njeri që rri me vite na AZHB dhe vetëm i ndërron pozitat herë shef i autorizimit të pagesave herë në komision aty, ata dihet se çfarë bëjnë, ata janë zinxhir që edhe me nëpunësit e vet ata dinë se qysh me fol”, ka deklaruar ai.

    E për gjithë këtë ai ka edhe dokumente të cilat e dëshmojë se si e mori grantin por nuk i mori paratë asnjëherë.

    Kujtojmë se policia e Kosovës të mërkurën të dyshuar për ryshfet e keqpërdorim me grante arrestoi 10 zyrtarë në mesin e të cilëve ishte edhe Agim Nuha dhe Luan Statovci.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!