×
  • Lajme
  • Pa kategori

    Xhamia dhe kafja e rakisë “bashkëjetojnë” në oborr qe 34 vjet – Hoxhallarët gjatë Ramazanit bëjnë iftar aty

    Reporteri
    17 Mars 2023 | 13:46

    Një vend unik që se gjen askund tjetër. Në një oborr “bashkëjetojnë” xhamia dhe kafja e rakisë, e kjo ekziston vetëm në qytetin e Vushtrrisë.

    Xhamia më e vjetër në Ballkan e cila gjendet në këtë qytet, ishte ndërtuar nga osmanët, po për komshi ka kafen e rakisë që më vonë u shndërrua në restaurant.

    Nga tavolina ku shërbehet alkooli, shihet Kurani dhe brendësia e xhamisë.

    Besimtarët myslimanë të qytetit, duket se nuk e kanë problem këtë fakt që të marrin abdes në këto hapësira, dhe kjo sipas tyre, tregon tolerancën fetare që kanë.

    Imami i xhamisë “Gazi Ali Beu”, Sadik Hasani thotë se ky objekt fetar dhe ai i biznesit janë të dy në pronën e tyre.

    “Është realitet se kjo xhami që është mbrapa nesh është një ndër xhamitë më të vjetra në Ballkan, mirëpo është në pronën e saj, por edhe ai objekt dhe ajo shtëpi është në pronën e vet qe sa. Ata përdorin në truallin e tyre dhe në shtëpinë e tyre çfarë të dojnë. Ju kemi treguar disa herë që është e ndaluar, mirëpo kur vjen muaji i rahmetit ata solidarizohen me ne, e hekin cdo pije që është e ndaluar, bëjnë edhe iftar aty”, tha për T7, imami i xhamisë.

    Përveç qytetarëve të cilët bëjnë iftar gjatë muajit të ramazanit, aty shkojnë edhe hoxhallarët, e këtë e thotë mbrapa kamerës djali i pronarit të restaurantit, Nystret Tunuzliu.

    Imami i xhamisë thotë se kanë dashur ta blejnë pronën e restaurantit që ekziston që nga viti 1989, mirëpo iu është dukur shtrenjtë, ndërkaq këta të fundit janë të gatshëm ta shesin me një çmim më të lartë.

    Kryetari i Bashkësisë Islame të Vushtrrisë, Shemsi Rrahmani tregon më shumë rreth historisë së xhamisë.

    “Është ndërtuar nga Gazi Ali Beiu, ai ka qenë veteran turk i ushtrisë turke dhe e ka ndërtu në vitin 1410. Ka qenë xhami e dedikuar vetëm për ushtri”, tha Rrahmani për T7.

    Kjo xhami ende mbetet si shembull i një tolerance fetare në Kosovë. Deri tash diçka të tillë nuk mund ta gjeni diku tjetër, dhe kjo kulturë ende kultivohet vetëm në Kosovë nga të gjitha vendet e tjera me shumicë myslimane. Edhe atë vetëm në qytetin e Vushtrrisë./GazetaExpress/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!