×
  • Lajme
  • Lajme

    PDK i quan improvizime të ditëve të fundit iniciativën e Kurtit për themelimin e Institutit për krimet e kryera gjatë luftës

    Reporteri
    23 Maj 2020 | 9:10

    Gjatë kësaj jave është themeluar Ekipi Punues për analizën e themelimit të Institutit për krimet e kryera gjatë luftës.


    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se ky ekip është themeluar si rezultat i nevojës për një institut i cili do të mund të adresonte, më në fund, atë se çfarë ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës. Po ashtu nga Qeveria në detyrë është propozuar që ish-Burgu i Qarkut të Prishtinës të shpallet Muze.

    Një nismë e tillë për adresimin e krimeve të luftës ishte bërë edhe nga kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i cili sa ishte kryetar i Kuvendit ndërmori iniciativën për themelimin e një Tribunali Special për gjenocidin serb në Kosovë.

    Nga PDK nismat e Qeverisë në detyrë  i kanë quajtur improvizime në ditët e fundit të Qeverisë Kurti.

    “Në këtë rast, iniciativat e lartpërmendura nga Ministria e Drejtësisë, znj. Haxhiu dhe Kryetari i Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, z. Aliu, janë improvizime në ditët e fundit të Qeverisë Kurti, sa për të thënë që jemi munduar që të adresojnë këtë temë tejet të rëndësishme”, ka thënë për Reporterin zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi.

    Bytyçi ka thënë se  Kadri Veseli, gjatë mandatit të tij si Kryetar i Kuvendit e kishte ofruar një plan të detajuar për të adresuar çështjen e krimeve të luftës në Kosovë që kishin ndodhur gjatë periudhave të ndryshme historike dhe jo vetëm gjatë luftës së fundit.

    Sipas tij, propozimi i Veselit i kishte tri elemente thelbësore, e para, identifikimin, hulumtimin dhe klasifikimin e krimeve të luftës, përmes një instituti që do t’i përfshinte disa institucione të specializuara, e që kjo e fundit do ta kishte përgjegjësi edhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për inicimin e tribunalit ndërkombëtar për krimet e luftës që ka ndodhur në Kosovë.

    Bytyçi thotë se ishte paraparë po ashtu edhe themelimi i muzeut të gjenocidit dhe muze të tjerë përcjellës në vende të ndryshme.

    “E dyta, krijimin e memories kolektive për ndodhitë e ndryshme gjatë periudhave të ndryshme, përmes themelimit të muzeut të gjenocidit dhe muze të tjera përcjellëse në vende të ndryshme. Propozimi parashikonte edhe arkivën shtetërore. E treta, propozimi z. Veselit, parashihte që dy elementet e para të ishin të fuzionuara në bazë të modelit të Qendrës Botërore për Holokaustin, Yad Vashem. Po ashtu duke ofruar programe edukuese dhe mundesi për hulumtime shkencore”, ka thënë ai për Reporterin.

    Bytyçi ka kujtuar se Lëvizja Vetëvendosje së bashku me LDK-në e kishte braktisur seancën  kur në rend të ditës është dashur që të votohet për themelimin e institucioneve që do ta mundësonin hulumtimin, arkivimin dhe adresimin e krimeve të luftës në Kosovë.

    Megjithatë,  ai thotë se Partia Demokratike e Kosovës, është gjithmonë e gatshme që të ulet të diskutojë dhe mbështes një iniciativë serioze sa i përket kësaj teme.

    “Partia Demokratike e Kosovës, është gjithmonë e gatshme që të ulet të diskutojë dhe mbështes një iniciativë serioze sa i përket kësaj teme. Për këtë arsye, konsensusi politik është tejet i rëndësishëm e që për fat të keq, ka munguar kryesisht nga partia që tani po improvizon me këtë çështje”, ka thënë Bytyçi për Reporterin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!