Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se do të mbajë konferencë për media të mërkurën, shkruan Reporteri.net.
Sipas njoftimit, konferenca është thirrur për në orën 11:15, në zyrat e kësaj partie.
Reporteri.net ka mësuar se thirrja e konferencës lidhet me rezultatet në testin PISA.
Kosova është renditur ndër të fundit në tri testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA.
Ajo e ka zënë vendin e 74-të në matematikë – fushën kyçe në testim – dhe vendin e 76-të në lexim.
Në të dyja fushat, Kosova ka pësuar rënie në performancë me 11 pikë më pak, në krahasim me testet e vitit 2018.
Në shkencë, Kosova është renditur e 77-ta, me tetë pikë rënie.
Testimet e PISA-s nuk lidhen me planprogramet mësimore të vendeve pjesëmarrëse, por me zbatimin e mësimeve në përditshmëri.
Ministrja e Arsimit në Kosovë, Arbërie Nagavci, ka thënë se pandemia e koronavirusit ka ndikuar në këtë rezultat.
“Rezultatet, të cilat janë bërë publike sot, kanë qenë të pritshme, duke pasur parasysh se në këtë cikël të testimit, që u organizua në pranverën e vitit 2022, kemi pasur një situatë menjëherë pas pandemisë”, ka thënë ajo në një konferencë për media.
Kritika të shumta pati sidomos nga partitë opozitare./Reporteri.net
Kosova në fund të tabelës në PISA, Krasniqi: Analfabetizmi qeveritar po prek shkollat tona