Nesër deputetët do të mblidhen për të 45-tën herë në përpjekje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Po bëhen gati tre muaj që kur deputetët çdo 48 orë po mblidhen në Kuvend.
Në seancën e fundit, të martën, dështoi sërish të formohej Komisioni për Votimin e Fshehtë.
Kryesuesi i Kuvendit, Avdni Dehari, ashtu si në disa prej seancave të fundit, edhe të martën kërkoi nga regjia që t’ua ndalte mikrofonin në foltore, përfaqësuesve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë. Afati i fundit është 22 korriku.
Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi.
Javën e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ftoi në takim përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar opsionet për dalje nga kriza.
Ajo e përmendi edhe mundësinë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë.
/Reporteri.net/