Të shtunën pasdite janë rihapur të gjitha pikat kufitare me Serbinë, me t’u larguar bllokadat në veri të cilat u vendosën të premten e 6 shtatorit.
Një veprim i tillë u bë si shenjë proteste kundër mbylljes së institucioneve paralele serbe në veri të Kosovës.
Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ky zhvillim dëshmon dështimin e përpjekjeve të Serbisë për destabilizim në Kosovë dhe rajon.
“Serbia është në panik, dhe përpjekjet e saj për destabilizimin e Kosovës dhe rajonit po dështojnë,” tha Sveçla, duke theksuar përkushtimin e institucioneve kosovare për të mbrojtur sovranitetin.
Sveçla: Serbia në panik, “shkolla ruse” për destabilizim të Kosovës e rajonit po dështon
Presidentja Vjosa Osmani gjithashtu komentoi situatën, duke thënë se strukturat ilegale në veri po pengojnë integrimin e komunitetit serb.
“Bllokadat në kufi tregojnë lidhjen e drejtpërdrejtë midis Serbisë dhe bandave kriminale që veprojnë në veri” deklaroi Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e luftës kundër këtyre strukturave për stabilitetin e vendit.
Osmani u bëri thirrje aleatëve që të dalin me qëndrim publik lidhur me këto shkelje të vazhdueshme nga ana e Serbisë siç thotë ajo, të cilat po shkelin të drejtat e qytetarëve.
Ndërsa, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla kishte deklaruar se persona të maskuar po ndalojnë veturat edhe me targa të huaja për të vërtetuar nëse janë shqiptarë dhe po i kthejnë mbrapsht.
Serbët i bllokuan të premten rrugët dhe i kthyen mbrapsht vetëm udhëtarët me dokumente të Kosovës në pjesën serbe pranë tri pikave kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, në shenjë proteste kundër veprimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës.
Organizatorët e bllokadave duan që Kosova ta tërheqë policinë nga komunat me shumicë serbe në veri.
Largohen bllokadat, hapen për qarkullim pikat kufitare në Merdarë e Bërnjak