×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia në aksion për largimin e veturave nga trotuaret, por parkingje në Prishtinë nuk ka

    Reporteri
    27 Tetor 2019 | 23:19

    Pesë muaj nga nisja e aksionit të Policisë për lirimin e trotuareve nga automjetet, në rajonin e Prishtinës janë shqiptuar rreth 15 mijë e 300 gjoba ndaj ngasësve.


    Ndërsa, nga janari e deri në shtator të këtij viti, në rajonin e kryeqytetit, për shkak të parkimeve ilegale, policia ka konfiskuar 2 mijë e 757 automjete, raporton KTV.

    Në kuadër të Policisë funksionon edhe një task-forcë, e cila liron hapësirat e këmbësorëve nga automjetet.

    Për të gjitha veturat, që policia i has të parkuara në mënyrë të parregullt dhe në vendet e ndaluara për parkim, vendos njoftim zyrtar për paraqitje të obligueshme në stacion policor, ndërsa drejtuesit të automjetit më pas i shqiptohet gjobë për kundërvajtje.

    Në anën tjetër, ngasësit thonë se në mungesë të parkingjeve të rregullta, po detyrohen t’i shfrytëzojnë hapësirat e ndaluara.

    Ankesa kanë edhe banorët e lagjeve të Prishtinës.

    Pa e paguar gjobën, pronarët e automjeteve nuk mund të bëjnë regjistrimin, vazhdimin e regjistrimit apo ndërrimin e pronarit të automjetit.

    Për kët­ë çështje, policia ka dy thirrje. Një për komunën, e tjetrën për ngasësit.

    Që nga viti 2016, Komuna e Prishtinës ka themeluar ndërmarrjen “Prishtina Parking”, por si e tillë ajo mbetet vetëm në letër.

    Në kohën kur kryeqyteti përballet me mungesë dhe kaos parkingjesh, as pas tre vjetësh komuna nuk ka arritur ta funksionalizojë këtë ndërmarrje.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!