×
  • Lajme
  • Lajme

    Policia sqarohet për arrestimin e dhunshëm të të moshuarit në Vushtrri

    Reporteri
    10 Shtator 2021 | 22:30

    Një arrestim aspak i këndshëm ka ndodhur në sheshin e Vushtrrisë ku Policia është konfrontuar me fjalë nga një qytetar i moshuar që duket në dhimbje.


    Lexues të Gazetës Online “Reporteri.net’ kanë dërguar pamje nga momenti i arrestimit, ku i moshuari dëgjohet derisa bërtet “unë vetë vij,” dhe “ma këpute dorën” pasi polici duket se e mban për dore.

    Zyrtari policor e kishte kapur të moshuar derisa priste ardhjen e patrullës tjetër policore.

    Një dëshmitar ka treguar se kjo ka ndodhur për shkak të mos-mbajtjes së maskës së pandemisë.

    Lidhur me këtë rast Policia e Kosovës ka dalë me një sqarim.

    “Personi në fjalë fillimisht kishte refuzuar vendosjen e maskës, e po ashtu kishte refuzuar edhe prezantimin e dokumentit identifikues (letërnjoftimin) të kërkuar nga zyrtarët policorë.
    Vlen të potencohet se zyrtarët policorë kishin kërkuar dhe njëherit i kishin dhënë urdhër verbal disa herë personit në fjalë, por i njëjti duke refuzuar nuk i ishte bindur urdhrave të zyrtareve policorë duke aluduar se është i sëmurë, por pa argumentuar me ndonjë dokument mjekësor. Zyrtarët policorë janë detyruar të ndërmarrin veprime ligjore duke e vënë nën kontroll personin, të cilin pastaj e kanë dërguar në stacionin policor për intervistim dhe procedura të mëtejme”, ka sqaruar Policia.

    Ata kanë thënë se personi në fjalë nuk ka dëshmuar asnjë dokument se është i sëmurë dhe nga verifikimet e bëra i njëjti ka rezultuar se është i njohur për shumë vepra penale.

    “Në konsultim me gjyqtarin ndaj të njëjtit është iniciuar rasti “Mosrespektim i urdhrit të policit (PRQP)”, ku pas intervistimit rasti vazhdon procedurë të rregullt, për trajtim të mëtejme nga gjykata kompetente. Policia e Kosovës, pas çdo operacioni apo veprimi policor, vlerëson dhe njëherit si në këtë rast trajton veprimet dhe sjelljet e zyrtarëve policorë se a janë në harmoni me rregullat dhe procedurat policore”, ka njoftuar Policia.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!