Prokuroria Speciale ka lëshuar letër-rreshtim vendor dhe ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiq, lidhur me barrikadat e vendosura në katër komunat veriore gjatë vitit 2022.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Arbnora Luta.
Ajo tha se përveç Radoiçiqit, janë lëshuar urdhër-arreste edhe për dhjetë persona të tjerë të dyshuar në këtë rast.
“Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale, respektivisht prokurorit të rastit për lëshimin e letër-rreshtimit vendor dhe atij ndërkombëtar ndaj Milan Radojiçiq. Urdhërarresti është lëshuar në kuadër të veprimeve hetimore që janë duke u ndërmarrë në rastin e vendosjes së barrikadave në katër komunat veriore në vitin 2022. Përveç Radojiçiq, PSRK-ja ka lëshuar urdhërarrest edhe ndaj 10 personave tjerë të dyshuar në këtë rast”, ka deklaruar Luta.
Sipas saj, aktualisht janë duke u hetuar rreth 50 persona, për vepra penale që përfshijnë: pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, thirrje për rezistencë dhe bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese.
“Ndërsa për veprimet tjera publiku do të njoftohet në kohë, pasi duke pasur parasysh se rasti është në fazën e hetimeve, aktualisht nuk mund të ndajmë më shumë informacione”, ka thënë ajo.
Ndaj Radojçiqit ka edhe urdhër-arrest për krime lufte./Reporteri.net