×
  • Lajme
  • Lajme

    Prokuroria thotë se Haki Rugova i mundësoi interes financiar vëllait të tij

    Reporteri
    10 Qershor 2021 | 17:46

    Prokuroria Themelore në Gjakovë po thotë se kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova me nënshkrimin e kontratës për kompaninë e vëllait të tij, i kishte mundësuar këtij të fundit realizim të interesit financiar.


    Në anën tjetër, mbrojtja e Rugovës po insiston se nënshkrimi i kryetarit të Istogut kishte qenë pa efekt juridik, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Këto deklarata u dhanë të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë, ku me fjalën përfundimtare të palëve ka përfunduar gjykimi ku Haki Rugova po akuzohet për konflikt të interesit.

    Rugova akuzohet nga Prokuroria se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 289 mijë euro.

    Me anë të këtij nënshkrimi, prokurori Ali Uka tha se Haki Rugova i kishte mundësuar përfitimin e interesit financiar kompanisë së vëllait të tij, Gani Rugova.

    “Vlerësojmë se i pandehuri Haki Rugova duke miratuar dhe nënshkruar kontratën e datës 1 gusht 2014 në favor të kompanisë “MA Con”, të menaxhuar nga vëllai i tij Gani Rugova me këtë merr pjesë drejtpërdrejt personalisht në çështjen zyrtare në të cilën anëtari i familjes së tij, vëllait i tij realizon interes financiar dhe me këtë veprim i pandehuri i ka hap rrugë realizimit të kontratës në dobi të firmës të menaxhuar nga vëllai i tij dhe vlerësojmë se nënshkrimi i kontratës nga i pandehuri Haki Rugova i ka mundësuar realizimin e interesit financiar në favor të familjarit të tij”, tha prokurori Uka në fjalën e tij përfundimtare.

    Uka shtoi se në bazë të Ligjit të Prokurorit Publik, kjo kontratë cilësohej si kontratë e vlerës së madhe, e që sipas prokurorit Uka, kërkonte edhe nënshkrimin e kryetarit të Komunës së Istogut.

    “Nuk është kontestuese se që më këtë rast kemi të bëjmë me kontratë të vlerës së madhe dhe atë konform nenit 19 par.1.1 të Ligjit nr.04/1-42 për Prokurimin Publik, ku në nenin 26 të këtij ligji është paraparë se për plotfuqishmërinë e kësaj kontrate është e nevojshme që përveç nënshkrimit të zyrtarit përgjegjës nga menaxheri i zyrës së prokurimit, është dashtë të nënshkruhet në emër të autoritetit kontraktues nga zyrtari kryesor administrativ, që në rastin konkret nga këtu i pandehuri Haki Rugova”, tha prokurori Uka.

    Në fund të fjalës së tij përfundimtare, prokurori Uka kërkoi që gjykata të akuzuarin Rugova të shpall fajtor dhe në matjen e dënimit, të marrë parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

    I njëjti nuk kërkoi shqiptimin e dënimit plotësues, ndalimin e ushtrimit të funksioneve zyrtare në administratën publike.

    Në anën tjetër, mbrojtësi i Haki Rugovës, avokati Besnik Berisha tha se klienti i tij ishte viktimë e jo kryes i kësaj vepre penale.

    Sipas avokatit Berisha, edhe pse nënshkrimi i kontratës nga ana e të mbrojturit të tij ishte bërë aksidentalisht, ky nënshkrim nuk kishte mundësuar hyrjen në fuqi të kontratës, pasi sipas tij, bazuar në Ligjin për Prokurimin Publik, për kontratat e mesme nuk ishte e nevojshme nënshkrimi i kryetarit.

    “Kontrata për punë të mesme nuk kërkon nënshkrimin e Hakiut të cilën e ka dhënë aksidentalisht dhe këtë e vërteton edhe ekspertiza e ekspertit të prokurimit që vërteton se nënshkrimi ka qenë krejtësisht i panevojshëm sa i përket fuqisë ligjore”, tha avokati Berisha.

    Avokati Berisha shtoi se Prokuroria nuk kishte provuar se nënshkrimi i të mbrojturit kishte efekt në plotfuqishmërinë e kontratës.

    “Haki Rugova si ka dhënë vëllait të tij kontratë për tender dhe s’ka nënshkru një kontratë për t’i dhënë fuqi”, shtoi Berisha.

    Në fund, avokati Berisha kërkoi nga gjykata që Rugova të lirohet nga aktakuza për konflikt interesi dhe siç tha, Prokuroria të mësonte elementet e veprës penale të konfliktit të interesit dhe i mbrojturi i tij të mos nënshkruante kontrata në mënyrë aksidentale.

    Pas dhënies së fjalëve përfundimtare nga palët, kryetari i trupit gjykues, Sami Sharaxhiu vendosi që shpallja e aktgjykimit për këtë rast të bëhet më 14 qershor 2021, në ora 15:00.

    Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 26 mars të vitit 2018, Haki Rugova akuzohet se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014, ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë.

    Sipas aktakuzës, në momentin e lidhjes së kontratës për kryerjen e punëve ndërtimore në mes Komunës së Istogut dhe kompanisë “Ma-Con” sh.p.k. drejtor i firmës ka qenë Gani Rugova dhe çmimi i kontratës ka qenë 289,119.85 euro.

    Organi i akuzës pretendon se me anë të këtyre veprimeve, i akuzuari Rugova, i ka mundësuar vëllait të tij, Gani Rugovës, interes financiar, andaj e akuzon se ka kryer veprën penale të konfliktit të interesit.

    Fillimisht kjo lëndë ishte dërguar në Prokurorinë Themelore në Pejë, përkatësisht ajo i ishte deleguar prokurorit Haxhi Sinanaj.

    Por, ky i fundit, më 17 janar 2018 me shkresë i ishte drejtuar ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj dhe pas konsultimit me ish-kryeprokurorin e Prokurorisë së Apelit, Haxhi Derguti, si dhe me kryeprokurorin e Pejës, Agim Kurmehaj, lënda është deleguar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë.

    “Arsyeja e dërgimit në kompetencë të kësaj çështjeje juridike penale për të pandehurin Haki Rugova, është fakti se me të njëjtin që një kohë të gjatë njihemi dhe jemi në raporte shoqërore, andaj për të qenë një hetim i drejtë dhe i pavarur, pas konsultimit me kryeprokurorin e Apelit dhe kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë, jemi dakorduar që këtë çështje penale ta dërgojmë në kompetencë të Prokurorisë Themelore në Gjakovë”, kishte shkruar prokurori Haxhi Sinanaj.

    Ndryshe, Haki Rugova, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kishte fituar edhe një mandat tjetër, për herë të tretë, në krye të Komunës së Istogut. /BetimipërDrejtësi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!