PZAP del të hënën me vendim për votat që kanë ardhur me vonesë nga diaspora

Gjykata Supreme ka vendosur në favor të Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket numërimit të 4 mijë e 639 votave të diasporës të cilat kanë ardhur me vonesë në adresë të KQZ-së. Valmir Elezi, zëdhënës për media në KQZ, ka thënë se ata do të presin vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në lidhje vendimin e Gjykata Supreme për numërimin e këtyre votave nga diaspora. Kryesuesi i PZAP-së, Mulë Desku i tha Gazetës se PZAP do të dal me një vendim të hënën lidhur me vendimin e Supremes.


Në QNR mbrëmë në mesnatë ka përfunduar numërimi i votave me kusht dhe votave me nevoja të veçanta. Valmir Elezi zëdhënës i KQZ-së ka thënë se sipas vendimit të këtij institucioni të premten do të vazhdohet rinumërimi edhe i katër vendvotimeve.

Elezi ka thënë se KQZ nuk mundet të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare pa një vendim të PZAP-së në lidhje me 4 mijë e 639 votat që kanë ardhur me vonesë nga PZAP.

Mulë Desku kryesues i PZAP-së i ka thënë Gazetës Express se ky Panel do të dal me një vendim të hënën.

“Nuk ka vendim deri të hënën, gjyqtarët e kanë marrë vendimin e Supremes dhe e shqyrtojnë e analizojnë por deri të hënën nuk ka vendim” ka thënë Desku.

Deri më tani janë numëruar votat e rregullta, votat e diasporës që kanë ardhur në afatin e rregullt kohor, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Nga numërimi i këtyre votatve rezultati i përgjithshëm nxjerr të parën Lëvizjen Vetëendosje, të dytën Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe në vendin e tretë Partinë Demokratike të Kosovës.

Nisma Social Demokrate sot në një konferencë për media kanë deklaruar se kjo partia ka kaluar pragun zgjedhor prej 5% dhe se do të jenë pjesë e Kuvendit.

Anëtari i Nismës, Bilall Sherifi ka thënë se Nisma ka 5.17% të votave duke përfshirë votat e rregullta, votat e diasporës dhe votat me kusht.

Sherifi ka kritikur mënyrën e pranimit të votave me zarfe nga Serbia duke thënë se ato vota janë mbushur në mënyrë kriminale dhe kanë ardhur në Kosovë në mënyrë kriminale

“Disa zarfe që kanë hyrë në mënyrë ilegale dhe të dërguara në QNR pa asnjë vendim paraprak pa asnjë raport paraprak të Prokurorisë pa një vendim të KQZ-së se çka të bëhet me ato vota prapë. Kanë ardhur këto vota në mënyrë kriminale janë futur në sistem në mënyrë të jashtëligjshme”, ka thënë Sherifi.