Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes kryenegociatorit të saj për bisedimet me Serbinë, Besnik Bislimi, shprehu keqardhjen për regresin që ndodhi në rundin e shtatë të bisedimeve rreth dinarit, ndërkohë thotë që gjatë negociatave ka qenë e dukshme tërheqja e qëndrimeve të Serbisë edhe nga vetë pozicionimi i saj dhe komentet të dërguara në këtë javë, andaj bëhet e qartë se ka qenë taktikë e Serbisë që të pamundësohet një zgjidhje për këtë situatë, përcjell Reporteri.net.
Në njoftimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës pas takimit në Bruksel, theksohet se zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në takimet e radhës në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel.
“Edhe në këtë takim ishte paraparë të bisedohej mbi gjetjen e një zgjidhjeje për pranimin e mbështetjes financiare të Serbisë, nga komuniteti serb në Kosovë, i prezantuar dhe si mundësia e fundit që palët të dakordohen. Fatkeqësisht, edhe ky takim i radhës u keqpërdor nga pala serbe e nuk solli rezultat”, thuhet në reagim.
Paraprakisht, nga palët pritej që të vijnë me komente në draftin e propozuar nga emisari Lajçak në takimin e mbajtur në fund të muajit prill, komente të cilat do të tregonin gatishmërinë tonë që të lëvizim drejt propozimit të ndërmjetësuesit.
Në njoftim theksohet se pala kosovare ka bërë komentet e saj, përmes të cilave ishim afruar drejt një zgjidhjeje finale brenda kornizës ligjore të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht pa prekur substancën e propozimit të Lajçak. Serbia, i është përgjigjur me komente tërësisht të reja, si propozim i ri, dhe jo vetëm duke u larguar nga propozimi i emisarit, por edhe nga vetë pozicionet e mëparshme të palës serbe.
“Vullnetit tonë për një zgjidhje funksionale që garanton vazhdimin e mbështetjes për qytetarët e komunitetit serb, pala serbe iu përgjigj me propozime që në tërësi synojnë legalizimin e strukturave të saj paralele e ilegale që operojnë në Kosovë e rrjedhimisht jashtë kornizës së bisedimeve për çështjen”, thuhet tutje.
“Përpjekjeve tona për integrim të komunitetit serb, pala serbe iu përgjigj tani me kërkesën eksplicite që të kalohet nga një sistem paralel ilegal, në një sistem paralel, por legal. Pra kalimi në një sistem ku paralelizmi siguron mosintegrim dhe prezencë të Serbisë në Kosovë përmes institucioneve të saj, gjë kjo e papranueshme për palën tonë”, përfundon njoftimi.
Bashkimi Evropian tha të mërkurën Kosova dhe Serbia nuk arritën të pajtohen as pas takimit të shtatë në Bruksel për çështjen e dinarit serb në Kosovë, përdorimi i të cilit u ndalua nga autoritetet kosovare muaj më parë.
Bashkimi Evropian ka thënë se Kosova e Serbia s’kanë gatishmëri për të bërë kompromise për të arritur dakordim për çështjen e pagesave kesh në Kosovë, pas dështimit të takimit të shtatë të palëve për çështjen e dinarit.
Në një deklaratë për media të lëshuar nga zyra për informim e BE-së thuhet se palët kanë tejkaluar disa dallime, por se nuk është arritur dakordim në disa çështje.
I dërguari i posaçëm i Bashkimi Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se në takimin e sotëm në Bruksel, i shtati me radhë, nuk është arritur marrëveshje me kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Lajçak në platformën “X” ka shkruar se është i gatshëm t’i presë Bislimin e Petkoviqin prapë kur të tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje rreth “dinarit”.
“Prita për herë të 7-të kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë mbi implikimet e rregullores së BQK-së. Fatkeqësisht, palët nuk arritën të arrijnë marrëveshje. Jam gati të pres përsëri palët nëse ato tregojnë gatishmëri për të arritur një zgjidhje të përkohshme të pëlqyeshme reciprokisht”, ka shkruar ai.
Lajçak: Jam i gatshëm t’i pres palët sërish kur të tregojnë gatishmëri për gjetjen e një zgjidhjeje