×
  • Lajme
  • Lajme

    Qeveria neglizhon asetin më vital të vendit, KEK- u vetëmobilizohet për të mos lejuar krizë energjetike

    Reporteri
    15 Mars 2020 | 21:50

    Drejtori Menaxhues i KEK-ut, Njazi Thaqi, në orët e mbrëmjes i ka vizituar punëtorët në Termocentralin “Kosova B” në Obiliq.


    Ai ka deklaruar se pavarësisht gjendjes së krijuar nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, situata në KEK është normale dhe se kjo ndërmarrje është duke punuar me kapacitete të plota në të gjitha njësitë prodhuese.

    Por për të është e habitshme se si askush nga autoritetet qeveritare nuk i ka kontaktuar e as vizituar gjatë këtyre ditëve, kur dihet se KEK-u është ndërmarrje e interesit nacional.

    Thaqi e ka konfirmuar për AktivPress se asnjëherë nuk është kontaktuar nga Qeveria e Kosovës për të sqaruar se çfarë implikimesh mund të kenë vendimet e saj në mbarëvajtjen e punës në prodhimin e energjisë elektrike, apo si qëndron puna me punëtorë, me transportin e tyre dhe me shumë gjëra tjera që janë të domosdoshme, e pa të cilat nuk mund të ketë prodhim stabil të energjisë elektrike.

    Sidoqoftë, ai ka thënë se për të është me rëndësi që deri më tani nuk ka asnjë rast me ankesa të punëtorëve sa i përket dyshimeve për prekje nga koronavirusi.

    “Uroj që të mos ndodh asnjë rast në KEK, e po ashtu edhe në gjithë vendin mos të kemi raste të shumta dhe mos të kemi pasoja në njerëz”, është shprehur Thaqi.

    Sa i përket masave që janë marrë në KEK, ai u ka treguar punëtorëve se menjëherë pasi Qeveria e ka marr vendimin e parë me qëllim të parandalimit të Koronavirusit, ai i ka thirrur në mbledhje urgjente të gjithë drejtorët e njësive dhe janë mobilizuar për t’i marr të gjitha masat e nevojshme për siguri dhe mbrojtje të punëtoreve të KEK-ut.

    “Pra menjëherë janë lëshuar urdhëresa për pajisje me materiale për dezinfektim të të gjitha hapësirave, përfshirë edhe termocentralet e po ashtu edhe makineritë punuese, eskavatorët dhe makinerinë e rënd në miniera dhe mihje, e po ashtu edhe një sërë masash tjera”, ka deklaruar Thaqi.

    “Në të njëjtën kohë kemi formuar Komitetin e Sigurisë dhe kemi hartuar strategjinë se si do të përballemi me këtë situatë”, ka shtuar ai.

    “Duke pasur parasysh se e kemi barrën dhe përgjegjësinë e produktit jetik dhe më të rëndësishëm të shtetit; duke pasur parasysh se kemi numrin më të madh të punëtorëve, pra po flasim për rreth 4100 punëtorë aktiv në 4 ndërrime pune; unë edhe dje edhe sot kam kërkuar që të respektohen rregullat strikte dhe të merren të gjitha masat në mënyrë që të mbrohemi nga infektimi me këtë virus”, ka theksuar Thaqi.

    Ai ka bërë thirrje që të gjithë të jenë në krye të detyrës për të përmbushur misionin në mënyrë që të mos kemi krizë në prodhimin e energjisë elektrike.

    “Pa frike dhe pa panik, por me kujdes maksimal dhe duke respektuar të gjitha udhëzimet dhe rregullat e përcaktuara, do të japim maksimumin për të mirën e vendit, për shëndetin tonë dhe të familjeve dhe bashkërisht do e tejkalojmë këtë sfidë dhe do të dalim faqebardhë”, është shprehur Thaqi.

    Gjëja më e rëndësishme në KEK, sipas tij, është që ka punëtorë shumë të përgjegjshëm dhe të kalitur në sfida të shumta.

    “Secili nga punëtoret e KEK-ut është i vetëdijshëm se në situata të tilla në duhet t’i dalim zot shtetit dhe qytetarëve të Kosovës sepse e kemi barrën dhe përgjegjësinë e produktit më të rëndësishëm të vendit. Nëse nuk do të kemi rrymë atëherë gjithçka do të jetë më e vështirë, edhe shëndetin e qytetarëve tanë edhe për sigurinë edhe për të përballuar këtë situatë secila familje në Kosovë”, ka thënë ai.

    Thaqi i ka vizituar punëtorët edhe një ditë më herët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!