×
  • Lajme
  • Lajme / Hagë

    Rasti i ish-krerëve të UÇK-së, pranohen në prova deklaratat e një dëshmitari dhe disa viktimave për zhdëmtimin

    Reporteri
    10 Korrik 2025 | 17:04

    Në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, është marrë vendim që të pranohen deklaratat dhe provat e disa viktimave të cilat lidhen me zhdëmtimin e viktimave për dëmet që pretendohet se kanë pësuar.

    Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, Michael Doyle, i cili tha se kjo është bërë pas kërkesës së mbrojtësit të viktimave, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Më 9 korrik, trupi gjykues pranoi si prova deklaratat dhe provat e disa viktimave me kërkesë të mbrojtjes së viktimave, pasi ato lidhen me zhdëmtimin e viktimave për dëmet e pësuara”, tha Doyle.

    Sipas tij, trupi gjykues ka refuzuar pranimin e disa provave materiale shoqëruese të propozuara nga mbrojtja e viktimave, me arsyetimin se ato janë diskutuar në hollësi gjatë dëshmive të dhëna në gjykatë.

    Një vendim që u bë publik së fundi, i datës 1 maj 2025, tregon se në prova materiale është pranuar dëshmia me shkrim e një dëshmitari, sipas Rregullës 155.

    Doyle thotë se kjo Rregull lejon pranimin e një deklarate me shkrim apo të transkriptit të dëshmisë së një personi që nuk është i disponueshëm për të dhënë dëshmi personalisht, për shkak të dëmtimeve fizike apo mendore ose për arsye të tjera bindëse, nëse përmbushen disa kushte.

    “Në vendim, gjykatësit vunë në dukje se, meqenëse mbrojtja nuk do të jetë në gjendje t’i bëjë pyetje dëshmitarit, sipas rregullave trupi gjykues nuk mund të bazohet vetëm, ose në masë vendimtare, në dëshminë e dëshmitarit. Trupi gjykues theksoi se do ta mbante parasysh këtë, së bashku me faktorët e tjerë të ngritur prej palëve, kur të përcaktonte peshën përfundimtare që do t’i japë (nëse do t’i japë peshë) dëshmisë së dëshmitarit. Gjithashtu, trupi gjykues theksoi se ky dëshmitar dëshmon në lidhje me krimet dhe dëshmia e tij nuk është për vërtetimin e veprimeve dhe sjelljes së të akuzuarve që pretendohen në aktakuzë”, tha Doyle.

    Në të njëjtën çështje gjyqësore, më 4 dhe 9 korrik 2025 është caktuar paneli i Apelit me gjyqtarët Michael Picard, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen, për të vendosur për pesë apelet e mbrojtjes lidhur me mënyrën se si trupi gjykues e ka interpretuar zbatimin e Rregullës 149 për dëshminë e dëshmitarëve ekspertë.

    Në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, më 3 korrik 2025 është hedhur poshtë një kërkesë e mbrojtësit të viktimave për pranimin e tri akt-ekspertizave pasi nuk parashihte që autorët e tyre t’i thërriste për të dhënë dëshmi.

    Doyle tregoi se sipas Rregullores, mbrojtja duhet të ketë mundësinë që t’i ballafaqojë autorin e akt-ekspekrtzës në sallën e gjyqit përveç nëse mbrojtja nuk ka kundërshtim që ajo të pranohet pa dhënë dëshmi.

    Doyle tha se vendimi është shtyrë deri pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarëve ekspertë, të thirrur prej mbrojtjes së viktimave- të cilët janë autorë ose bashkautorë të akt-ekspertizave përkatëse.

    “Në atë vendim, trupi gjykues miratoi edhe kërkesën e mbrojtjes së viktimave që dy dëshmitarë ekspertë të japin dëshmi së bashku dhe caktoi që dëshmia e tyre të fillojë më 16 korrik, dhe nënvizoi se, duke mbajtur parasysh natyrën e kufizuar të kërkesës së mbrojtjes për rrëzimin e akuzave. Gjykimi pritet të kalojë në fazën vijuese”, tha Doyle.

    Sipas tij, mbrojtësi i viktimave ka treguar se dëshmia e dy dëshmitarëve ekspertë do të zgjasë dy orë. Dy orë gjithashtu do i nevojiten Prokurorisë, si dhe mbrojtjes së bashku rreth pesë orë.

    Ai trgoi se është rrëzuar një kërkesë e dytë e Mustafës në Kushtetuese në lidhje me dënimin e tij, me pretendimet se nuk ishte proporcional.

    “Në arsyetimin e vet, Paneli i Gjykatës Kushtetuese shpjegoi se, meqenëse parashtruesi nuk kundërshtoi proporcionalitetin e dënimit të përcaktuar në Ligj për veprën penale, dhe as nuk paraqiti argumente që tregonin se dënimi i dhënë ishte tejet joproporcional në raport me veprën penale, gjykatësit konstatuan se kërkesa referuese nuk kishte provuar krijimin e ndonjë perceptimi për shkelje të të drejtave kushtetuese të parashtruesit. Për rrjedhojë, Paneli i Gjykatës Kushtetuese e rrëzoi kërkesën referuese si të papranueshme”, tha ai.

    Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!