×
  • Lajme
  • Lajme

    Reagon RrGK: Të caktohet masa e sigurisë ndaj Arben Ahmetit, dhe të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse

    Reporteri
    27 Shtator 2022 | 15:58

    Rrjeti i Grave të Kosovës ka reaguar pas arrestimit të gazetarit Arben Ahmeti pas dhunës së ushtruar ndaj bashkëshortes së tij, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në një njoftim për media, Rrjeti i Grave të Kosovës kërkon nga institucionet që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ndaj Ahmetit, duke i caktuar masë të sigurisë.

    “Sot përmes mediave u njoftuam për një rast të dhunës në familje nga një person publik dhe gazetar në mediumet tona. Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes këtij reagimi kërkon që institucionet të ndërmarrin veprimet e nevojshme që dhunuesit të ndalohen dhe ndaj tyre të caktohen masat e sigurisë, me qëllim që të njëjtëve t’iu ndalohet përsëritja e dhunës në familje dhe RrGK kërkon dënim meritor sipas legjislacionit që aktualisht kemi në fuqi”, thuhet në reagimin e tyre.

    Gjithashtu nga RrGK kërkojnë që Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet, duke mos qenë i pranishëm në debate televizive.

    “Gjithashtu, përmes këtij reagimi RrGK kërkon që gazetari Arben Ahmeti të shkarkohet nga të gjitha pozitat udhëheqëse dhe prezenca e tij në media të penalizohet dhe të mos jetë i pranishëm në debate televizive. Prezenca e tij në media dhe paraqitja e tij publike janë të rrezikshme pasi që përmes tyre mund të promovojë dhunën dhe potencialisht edhe ta normalizojë atë”, thuhet tutje në njoftim.

    “Madje, personat publikë të cilët janë dhunues vetëm se bëjnë thirrje që dhuna të rritet dhe gratë të trajtohen si objekte. RrGK kërkon që raste t e tilla të trajtohen me seriozitetin më të madh nga institucionet tona dhe dhunuesit të vuajnë dënimin meritor. Përmes këtij reagimi, ftojmë mediat që të raportojnë për rastin me saktësi të plotë duke mos e kursyer për hir të “miqësisë” që kanë me gazetarin Arben Ahmeti”

    Po ashtu, bëjnë thirrja që viktima të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme, dhe se siç thonë “RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti”.

    “Bëjmë thirrje që gjatë punës me viktimën e dhunës në familje të ketë një qasje me fokus ndaj viktimës dhe që e njëjta të marrë ndihmën e duhur dhe të nevojshme. RrGK do të monitorojë reagimin e institucioneve ndaj këtij rasti dhe RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave e grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private.
    RrGK mbetet e hapur ndaj bashkëpunimit dhe ndihmës për viktimat e dhunës me bazë gjinore përmes këshillimit ligjor falas dhe referimit tek institucionet relevante. Nëse keni nevojë për ndihmë juridike falas për rastet e dhunës me bazë gjinore, apo njihni dikë që ka nevojë, na kontaktoni në numrin: 038 245 850”, thuhet në njoftim./Reporteri.net/

    Dhunë ndaj gruas së tij në sy të fëmijëve, arrestohet gazetari Arben Ahmeti – deklarohet policia dhe avokati i tij

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!