Rusia ka kërkuar sërish mbajtjen e një seance të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara me rastin e 25-vjetorit të fillimit të bombardimeve të NATO-s që i dhanë fund luftës në Kosovë, njoftoi mbrëmë një përfaqësues i Federatës Ruse në OKB.
Kështu raporton agjencia e lajmeve Beta.
Me një letër zyrtare, të hënën Rusia i kërkoi presidencës japoneze që ta thërrasë një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me rastin e 25 vjetorit të agresionit të NATO-s kundër Jugosllavisë, tha Dmitriy Polyanskiy.
Ai shtoi se kjo kërkesë është ndarë me anëtarët e Këshillit të Sigurimit dhe se pritet një përgjigje zyrtare nga presidenca japoneze.
Përfaqësuesi rus paraprakisht deklaroi se delegacionet perëndimore vepruan keq duke penguar diskutimin për bombardimin e NATO-s të hënën.
Në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe shtetet e tjera perëndimore, të hënën abstenuan në votim duke parandaluar futjen në agjendë të diskutimit temën për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s ndaj ish-Republikës Federale të Jugosllavisë 25 vjet më parë.
Rusia kishte kërkuar që pika e titulluar “kërcënimet ndaj paqes ndërkombëtare dhe sigurisë” të futej në agjendën e takimit të 25 marsit në Këshillin prej 15 anëtarësh.
Franca, SHBA-ja argumentuan se agjenda e një takimi miratohet nga të gjithë anëtarët, prandaj Rusia pas votimit kërkoi zyrtarisht që kjo pikë të futej në rend dite më vonë gjatë 25 marsit dhe presidenca japoneze e Këshillit u pajtua me këtë gjë.
Në Nju Jork, ku ka selinë OKB-ja, ndodhej edhe ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla.
Gërvalla, ka thënë se Rusia ka ngelur e vetme në përpjekjen e saj për ta shtrembëruar të vërtetën, pasi i dështoi thirrja për seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën.
Ministrja Gërvalla të hënën në mbrëmje ka thënë se Kosova ka qenë e gatshme për të paraqitur faktet rreth krimeve të Serbisë. Ajo ka falënderuar shtetet partnere të Kosovës. /Reporteri.net/