×
  • Lajme
  • Lajme

    Seanca për referendumin serb, AAK e LDK konfirmojnë pjesëmarrjen, PDK e sheh të panevojshme

    Reporteri
    14 Janar 2022 | 21:12

    Qeveria e Kosovës e ka vendosur prerazi se nuk do ta lejojë referendumin serb në territorin e Kosovës. E për këtë, ka marrë mbështetje edhe na partitë opozitare në vend, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kryeministri i vendit Albin Kurti ka thirrur për nesër seancë të jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje.

    Seanca e cila do të fillojë nga ora 14:00, do të ketë në rend dite vetëm një pikë, diskutim në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Kosovës.

    Kësaj seance i janë përgjigjur pozitivisht AAK dhe LDK, por jo edhe PDK.

    Në një përgjigje për Reporteri.net, deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka bërë të ditur se do të marrin pjesë në këtë seancë.

    “Grupi i AAK do të marrë pjesë”, ka thënë Lekaj shkurt për Reporteri.net.

    Teksa, në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka thënë për Reporteri.net se zyrtarisht ende nuk kanë marrë një ftesë të tillë.

    Pavarësisht kësaj, ai ka shtuar se beson që ftesa do të mbërrijë shpejt. Deputeti Gashi theksoi se LDK do të marrë pjesë në këtë seancë.

    “Hala nuk ka mbrri zyrtarisht ftesa, por besoj që do të mbrrij shumë shpejt edhe ne si grup parlamentar do të marrim pjesë në seancë”, tha ai për Reporteri.net.

    Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri ka bërë të ditur se PDK nesër nuk do të marrë pjesë në seancën e thirrur nga Kurti.

    Tahiri shtoi se PDK-ja e sheh të panevojshme thirrjen e kësaj seance.

    “PDK e sheh krejt të panevojshme thirrjen e kësaj seance dhe nuk do t’i përgjigjemi. S’do të jemi pjesë e saj ditën e nesërme”, theksoi Tahiri në një konferencë për media.
    Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do të mundësojë që serbët e Kosovës me dyshtetësi të votojnë në referendumin e së dielës për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë, përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

    Kundër këtij vendimi kanë dalë shtetet e QUINT-it të cilat i kanë kërkuar Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e referendumit.

    Thirrje për organizimin e këtij referendumi kanë bërë edhe zyrtarët e BE-së dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

    Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

    Në grumbullimin e votave për zgjedhjet e Serbisë ka qenë i angazhuar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!