Labinot Gruda, zyrtar i Thesarit të Kosovës, do ta kishte të pamundur të kryente vjedhjen e 2.1 milionë eurove, sikur në Ministrinë e Infrastrukturës, të mos ishte neglizhuar një njoftim që do duhej t’i dërgohej Thesarit, i cili ende nuk dihet nëse është bërë me qëllim apo pa të. Gruda ka përdorur ‘userin’ e një zyrtari të Ministrisë së Infrastrukturës për t’i çertifikuar pagesat, zyrtar ky që nuk punonte në këtë ministri prej nëntë muajsh. E fajtor që llogaria e këtij zyrtari ishte e ende aktive edhe nëntë muaj pasi ai nuk punonte në këtë ministri, është zyrtari kryesor administrativ në Ministrinë e Infrastrukturës, e që në këtë rast është Sekretari i Përgjithshëm, Izedin Bytyqi.
Kështu tha mbrëmë në emisionin “Pressing” në T7, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.
Por sekretari i MI-së, Izedin Bytyqi sot në një konferencë për media së bashku me ministrin Arban Abrashi, ka deklaruar se ministrja është keq informuar dhe se zyrtari Fadil Fazliu është ende punëtor në Ministrinë e Infrastrukturës dhe ka pozitën si zyrtar certifikues.
“Ministrja Hykmete Bajrami me siguri është e keqinformuar se tash këtë informatë nuk e ka prej ministrisë tonë, po kush e di kush ia ka dhënë. Tash njerëzit për me e heqë përgjegjësinë, japin edhe informata të pasakta te ministrja. Ky zyrtari Fadil Fazliu, është zyrtar certifikues i Ministrisë së Infrastrukturës, nga 14 janar 2020 është transferuar përkohësisht si U.D i udhëheqësit të njësisë së patentë shoferëve në Mitrovicë. Nuk është punëtor në komunën e Mitrovicës, nuk është drejtor, çdo kohë mundet me u kthy me ushtru atë detyrë (që e ka pasur)”, tha Bytyqi, shkruan Reporteri.net.
I pyetur pse nuk është njoftuar Thesari se punëtori Fadil Fazliu është transferuar në Mitrovicë, sekretari Bytyqi tha se “kjo çështje mbetet të hetohet, pse zyrtarët përgjegjës nuk i kanë marrë veprimet e veta”.
/Reporteri.net/.