“Serbia ka afat deri në pranverë që ta njohë Kosovën”, Kurti: SHBA e BE janë garancë

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se sipas marrëveshjes së fundit që u arrit në Bruksel, Serbia ka afat që ta njohë Kosovën deri në pranverë.

“Normalizimi i marrëdhënieve do të thotë që në fund të kemi një marrëveshje, një marrëveshje që është ligjërisht e detyrueshme ndërkombëtarisht dhe në të cilën në fokus kemi njohjen reciproke. Ju e dini që Kosova nuk e njeh Serbinë, Serbia nuk e njeh Kosovën dhe tani kemi një afat që ajo njohje reciproke të zbatohet diku në pranverën e vitit të ardhshëm. Kjo është marrëveshja që është arritur mbrëmë dhe që Serbia e ka pranuar”, ka thënë Kurti, transmeton Reporteri.net.

Për zbatimin e kësaj marrëveshje, Kurti ka thënë se janë garancë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Tani kemi si garanci Brukselin, Parisin, Berlinin dhe Washingtonin. Prandaj ne e shohim këtë deklaratë si një hap progresiv pozitiv në drejtimin e duhur”, ka deklaruar Kurti në një intervistë për televizionin malazez Gradska.

Sipas Kurtit, Serbia ka pranuar edhe hapjen e negociatave që do të bazohen në ofertën e Brukselit, e cila mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA. Plani, thotë ai, është që javën e ardhshme ose javën në vijim të organizohet një takim në Bruksel, ku do të fillojnë negociatat për normalizimin e marrëdhënieve.

Duke folur për marrëveshjet e kaluara të arritura, Kurti ka treguar se si Serbia s’u është përmbajtur këtyre marrëveshjeve.

“Nga 33 marrëveshjet e arritura nga Kosova dhe Serbia në Bruksel, Serbia nuk i ka realizuar apo zbatuar dy të tretat e atyre marrëveshjeve. Ne kemi përvojë të hidhur me Serbinë në kuptimin që nënshkrimi dhe zbatimi i marrëveshjeve janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Do të punoj që nënshkrimi i marrëveshjes dhe zbatimi i saj të vijnë në të njëjtin kontekst”, ka deklaruar Kurti./Reporteri.net

Kurti për televizionin malazez: Serbia ka afat deri në pranverë që ta njohë Kosovën, kështu thotë ujdia e fundit