×
  • Lajme
  • Lajme

    Serbia ndërpren gërmimet për mbetjet mortore të personave të zhdukur, reagon Qeveria e Kosovës

    Reporteri
    25 Maj 2022 | 16:50

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur i Republikës së Kosovës ka njoftuar se Komisioni i Serbisë i ka ndërprerë punimet në lokacionin e shënjuar në afërsi të Minierës në Shtaval, afër Sijenicës, në territorin e Serbisë.

    Në një reagim të publikuar nga Zyra e Kryeminstrit e Republikës së Kosovës thuhet se Serbia ka refuzuar të ndajë informacione në lidhje me të zhdukurit gjatë luftës së viteve 1998-99, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ky refuzim, sipas Zyrës së Kryeminstrit, dëshmon qartë joseriozitetin e Serbisë dhe mungesën e bashkëpunimit në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

    “Gërmimet që kishin filluar më 10 maj nuk kanë rezultuar me gjetjen e vendvarrezës masive me mbetjet mortore të viktimave të luftës , andaj për shkak të specifikave të terrenit dhe lokacioneve të tilla të përdorura nga forcat ushtarake dhe policore serbe gjatë luftës për zhdukjen e kufomave, në përpjekjen e tyre për fshehjen e gjurmëve të krimit, mbetet krucial sigurimi i informatave plotësuese në veçanti nga arkivat e institucioneve të Serbisë”, njofton tutje Zyra e Kryeministrit, përcjell Reporteri.net.

    “Po ashtu, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë presim sigurimin e imazheve plotësuese satelitore për një periudhë më të gjerë kohore për lokacionin në fjalë, si një mundësi për të shënjuar më saktësisht lokacionin e varrezës masive, bazuar edhe në përvojat e mëparshme në dy lokacionet e varrezave masive në territorin e Serbisë, si në rastin e Rudnicës dhe rastin e Kizhevakut.”

    Qeveria e Kosovës njofton se mbetet e përkushtuar dhe do të vazhdojë punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit të të zhdukurve me dhunë gjatë luftës. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!