Shqipëria feston sot 112-vjetorin e pavarësisë. Bashkia e Tiranës ka parashikuar edhe një kalendar të pasur me aktivitete dhe ngjarje kulturore.
Në mesditë, duke nisur nga ora 12:00, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, do të zhvillohet “Parada e Shqiptarëve”, ku Tirana pritet të vishet e gjitha kuq e zi. Të pranishëm në paradë pritet të jenë mbi 350 grupe artistike nga anë e mbanë kudo ku flitet shqip. Në paradë do të jenë të pranishme përfaqësues nga 150 qytete, ndërsa llogariten mbi 10 000 të pranishëm.
Pjesëmarrësit dhe grupet artistike do të nisin përgatitjet prej orës 9 me 28 Nëntor për të nisur aktivitetin e Paradës Shqiptare në orën 12 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Më 28 Nëntor 1912, Kuvendi Kombëtar i Vlorës shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar.
Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.
28 Nëntori i vitit 1912 shënon një kthesë historike për popullin shqiptar, sepse nga njëra anë mori fund sundimi gati pesëshekullor i Perandorisë Osmane, nga ana tjetër u krijuan kushtet e reja politike për të dalë nga prapambetja e madhe dhe për zhvillimin e tij më të shpejtë ekonomik, shoqëror e kulturor.
Shpallja e Pavarësisë ishte një fitore e madhe e shqiptarëve edhe kundër politikës antishqiptare të monarkive fqinje ballkanike, kundër synimeve e planeve të tyre për copëtimin e plotë të Shqipërisë. Shpallja e Pavarësisë dhe ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë ishte fitore e përbashkët për të gjithë popullin shqiptar dhe për të gjitha forcat që kishin marrë pjesë në luftën për çlirimin kombëtar, me pushkë dhe me penë.
Festa e 28 Nëntorit shënon ditën e pavarësisë së Shqipërisë, ku organizohen aktivitete të ndryshme.