×
  • Lajme
  • Shqipëria

    Iu gjet një pasaportë e rreme e Kosovës, arrestohet i dyshuari për vrasje në Krujë

    Reporteri
    29 Gusht 2024 | 11:55

    Policia e Shqipërisë ka dhënë informacione të detajuara lidhur me rastin e vrasjes së Gentjan Bejtjës më 15 mars të këtij viti para banesës së tij në Fushë-Krujë. 

    Sipas policisë së Shqipërisë gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit prej të dyshuarve, Ibir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, janë gjetur dhe sekuestruar armë e ndër të tjera edhe një pasaportë false e Republikës së Kosovës me emrin e shtetasit B.A. Policia e Shqipërisë ka thënë se është gjetur edhe një letërnjoftim fals i Kosovës. Policia pretendon se janë false pasi në to kishte foto të dyshuarit.

    Ndaj të dyshuarit është bërë rikualifikim i veprës penale.

    Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vlerësim të provave dhe fakteve të administruara, ka bërë rikualifikimin e veprës penale në ngarkim të shtetasit Ilir Beqaraj alias Ilir Brahimi alias Ilir Mançellari, dhe përveç veprave penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’ dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’, parashikuar nga nenet 186 dhe 278/1  të Kodit Penal, këtij shtetasi i është shtuar vepra penale ‘Vrasja me paramendim’, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 78 e 22 të Kodit Penal. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e autorëve të tjerë dhe për rezultatet e tyre do t’ju informojmë në vazhdimësi”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shqipërisë.

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!