Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish Presidentin Ilir Meta, pasi ky i fundit vendosi me dekret këtë të enjte që zgjedhjet lokale të zhvillohen më 13 tetor të këtij viti, një akt që mazhoranca nuk e njeh.
Rama ka shkruar në rrjetin social, ku e krahason Presidentin me Haxhi Qamilin. Madje Rama ka treguar dhe një histori të cilën e paralelizon me aktin e Ilir Metës.
Postimi i Ramës:
Haxhiu, ai i pari, Qamili pra, mbante në xhep një vulë, e cila ishte nje togëz rripi që trimat e tij e kishin plaçkitur, mes shumë sendesh të karvaneve tregtare.
Mbi të shkruhej greqisht “Kompani kafeje Export-Import” dhe dekretet e Haxhiut vuloseshin me të, pa e ditur as ai vetë ç’shkruhej mbi të!
Ndërsa Haxhiu tjetër, Salvatori ynë Qametaj ose ndryshe, Presidenti ynë në shkarkim e sipër, e di çfarë shkruhet mbi Vulën e Republikës, po s’di hiç çfarë bën me dekretet për llogari të Saliut, Lulit e Monikës.
Baba Haxhiu u ngjall, po zgjedhjet nuk i vret dot dhe data e re e Baba Xhikes është një arsye e fortë më shumë, për të votuar të dielën, më 30QERSHOR; qetësisht e vendosmërisht, si shqiptarë pa dallim e as ngurrim, kundër karnavaleve të politikës pa din e as iman.