×
  • Lajme
  • Lajme

    Shteti dështoi ta mbronte, nesër mblidhet një grup ndërministror pas vrasjes së shtatzënës në QKUK

    Reporteri
    30 Nëntor 2022 | 23:39
    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

    Anipse shteti dështoi ta mbronte, një grup ndërministror mblidhet të enjten (nesër) pas vrasjes tronditëse të gruas shtatzënë, nga burri i saj, në oborr të QKUK’së.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar për rastin, duke thënë se rastet e tilla ia rikujtojnë se ka shumë punë për të bërë në sektorin e drejtësisë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    “Nesër në orën 08 e 30, mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional”, njoftoi ministrja Haxhiu.

    Organet shtetërore kanë dështuar së mbrojturi viktimën e sulmit të sotëm.

    Nazlie Bala nga Ministria e Drejtësisë e ka konfirmuar se viktima e kishte raportuar bashkëshortin në Polici për dhunë në familje, në muajin korrik të këtij viti. Sipas saj, ajo ka qenë para procesit të divorcit.

    Balaj ka thënë se edhe në këtë rast, organet e drejtësisë kanë dështuar ta mbrojnë viktimën dhe se s’ka pasur as urdhër mbrojtës.

    “Rasti në fjalë është raportuar në Korrik të vitit 2022 dhe sot e ndjera është dashur ta ketë mbrojtjen e institucioneve, por për fat të keq sot edhe sot e kemi edhe një rast me fatalitet, si neglizhencë apo mosveprim institucional. Sipas të dhënave që i kemi si MD, kjo ka qenë para procesit të ndarjes si pasojë e dhunës në familje…Kur flas për moskryerje të përgjegjësive, gjithmonë e kam fjalën nëse rasti është raportu në Polici dhe nga Policia është përcjellë te Prokuroria, atëherë përgjegjësia duhet të kërkohet në sistemin prokurorial apo sistemin gjyqësor. Sipas informacioneve, rasti s’ka pas as urdhër mbrojtës të lëshuar”, ka deklaruar Bala në ATV. /Reporteri.net/.

    Postimi i ministres Haxhiu:

    Një grua dhe foshnja që priste ta sillte në jetë u vranë tek shkallët e repartit të gjinekologjisë. Krim i rëndë, vrasje e dyfishtë!

    Brenda 5 ditëve dy gra të vrara nga bashkëshortët.

    Gruaja që priste fëmijën të sillte në këtë botë, vritet nga burri i saj, në vendin ku lindin fëmijët e vendit tonë, ku gratë bëhen nëna, nga atje ku lindë një jetë e re. Me shpresën për një botë më të mirë.

    Një grua që duhej të mbrohej. Ajo u shua. U shua bashkë me fëmijun ende të pa lindur.
    Këto krime të rënda na bëjnë të kuptojmë që femicidi është i përhapur në shoqërinë tonë.

    Rastet si ky na bëjnë të kuptojmë që pavarësisht veprimeve që kemi ndërmarrë, kemi edhe shumë punë për të bërë.

    Lufta me femicidin mund të jetë e vështirë por nuk guxojmë të humbim shpresat por të bashkohemi si institucione dhe si shoqëri për luftimin e femicidit që po merr jetët e grave.

    Nesër në orën 08 e 30, mblidhet grupi i ngushtë ndërministror me qëllim të raportimit për së afërmi me secilin veprim institucional.

    Familjarëve të viktimave, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta!

    Kriminelit dënimin më meritor!

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!